info@hibrid.info
Ndërlidhja e mediumit serb mes zhvillimeve për raportin e Dick Marty-it, e pabazë
shape
shape
shape

Medium në gjuhën serbe “Alo.rs” sot ka publikuar sot (16 gusht) një artikull në të cilin mëton të paraqesë se Kosova, së bashku me Zvicrën dhe Shqipërinë, kanë nisur një ofensivë tjetër kundër Serbisë e gjitha me qëllim të, siç thuhet, lirimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Haga.

Artikulli me titull “OFENSIVA E SHIPTARËRVE Lufta speciale kundër Serbisë së bashku me zviceranët nxjerrin Thaçin dhe Veselin nga Haga!” ndërlidh Rezolutën e Shqipërisë për raportin e Dick Marty-t, zbulimin nga ana mediave zvicerane të personit që informoi autoritetet e atij vendi për planifikimin e vrasjes së Dick Marty-t.

Pas analizës së bërë, hibrid.info arrin në përfundim se ndërlidhja e ngjarjeve të bëra nga mediumi serb lidhje me raportin e Dick Marty-t nuk qëndron, dhe se mëtimet e paraqitura në artikull vlerësohen si teori konspirative.


Vegëza e artikullit të publikuar në mediumin serb “Alo.rs”:

https://www.alo.rs/vesti/kim/661776/dik-marti-hasim-taci-veselji/vest


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Alo.rs” i përkthyer në shqip:

Shqiptarët dhe zviceranët filluan aksionin e mohimit të krimeve që terroristët e UÇK-së i bënë në Kosovë e Metohi dhe për të cilat krerët e organizatës terroriste përfunduan në bankën e të akuzuarve në Hagë. Dje, Shqipëria i dërgoi Këshillit të Evropës Rezolutën e saj për pabazueshmërinë e akuzave për tregti të paligjshme të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, dhe më pas Zvicra zbuloi se kush ishte personi që informoi autoritetet e atij vendi se shërbimet sekrete serbe se kinse kishin planifikuar të vrisnin senatorin Dick Marty, i cili zbuloi “shtëpinë e verdhë” famëkeqe, ku anëtarët e UÇK-së terroriste ua hiqnin organet serbëve.

Radio dhe televizioni zviceran njoftoi të dielën në mbrëmje se informatori që paralajmëroi Policinë Federale në fund të vitit 2020 se kishte plane nga Serbia për të vrarë Dick Marty-n me origjinë nga Kosova, punonte për shërbimin sekret jugosllav, por ishte një agjent i dyfishtë.

Bashkë me këtë ‘zbulim’, në parlamentin shqiptar doli një rezolutë, e cila pa asnjë provë mohon vërtetësinë e raportit të Dick Marty-t për trafikimin e organeve në Kosovë dhe Shqipëri, mbi bazën e të cilit u krijua Gjykata Speciale në Hagë dhe mbi bazën e së cilës po gjykohet ish-presidenti i Kosovës,  Hashim Thaçit. Kjo rezolutë iu përcoll Këshillit të Evropës, i cili miratoi raportin e Dick Martit mbi krimet shqiptare në më shumë se dhjetë vjet më parë.


Pretendimi i mediumit serb për një koordinim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës për të shpallur të pavlefshëm raportin e Dick Marty-t në lidhje me “shtëpinë e verdhë” duke synuar lirimin nga burgu të ish-krerëve të UÇK-së nuk qëndron bazuar në zhvillimet konkrete për këto zhvillime. Inicimi i rezolutës kundër raportit të Dick Marty-t nga ana Shqipërisë nuk ka qenë në koordinim me shtetin e Kosovës, prandaj ndërlidhja e bërë paraqet një interpretim të sajuar. (shih këtu)


Njëkohësisht, ndërlidhja që e bënë mediumi serb “Alo.rs” ndërmjet agjentit të dyfishtë të lindur në Kosovë që zbuloi planet serbe për vrasjen e Dick Marty-t me radiotelevizionin zviceran RTS, si një koordinim në mes të shtetit të Kosovës dhe Zvicrës për të shfuqizuar raportin e Dick Marty-it, vlerësohet të jetë një interpretim i sajuar nga ana e mediumit serb. Ky agjent me prejardhje nga Kosova, sipas mediumit zviceran, për 30 vjetët e fundit ka punuar dhe vazhdon të punojë për shumë shërbime evropiane, sidomos belge, gjermane dhe zvicerane, gjë që e bënë atë jo të afërt me shërbimet e inteligjencës nga Kosova dhe Shqipëria. (shih këtu)


Analiza:

Artikulli i publikuar në mediumin serb “Alo.rs”, bënë ndërlidhje tendencioze të rezolutës së Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-t, origjinës (Kosova) së agjentit të dyfishtë i cili njoftojë për planet serbe për vrasjen e Marty-t të deklaruara në radiotelevizioni zviceran RTS, si një koordinim në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Zvicrës për lirimin nga burgu të krerëve të UÇK-së, që mediumi e interpreton si një ofensivë kundër serbëve.

Hibrid.info, bazuar në metodologjinë e punës, vlerëson se ndërlidhja e krijuar nga mediumi serb “Alo.rs” është e pabazë dhe vlerësohet si “teori konspirative”.


Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »