Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar sot (6 janar) një artikull me titull “Ngjarje e rëndë: 42-vjeçari nuk pranoi divorcin, vret gruan, pesë fëmijët dhe vjehrrën”.
Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues pasi nuk e bënë të qartë lajmin dhe vendndodhjen e kësaj ngjarje.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin amerikan të Utah, përcjell ‘Kosova Sot Online’. Një 42-vjeçar ka vrarë 7 anëtarët e tij të familjes, ku më pas vrau edhe veten”.
Duke pas parasysh se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në shtetin Utah të SHBA-ve, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediume të huaja si “BBC” dhe “New York Times”, që kanë raportuar lidhur me këtë ngjarje. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk bëhet e ditur se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje. Ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në shtetin Utah të SHBA-ve.
Ky portal informativ i cili vepron në Kosovë dhe lexuesit parësor i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.