Artikulli me titull “Gjendet në park trupi i copëtuar i një gruaje” është publikuar nga portali informativ “Kosova-sot.info”.
Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk përshkruan vendndodhjen e ngjarjes, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një rast i rëndë ka ndodhur në Paris, ku punëtorët e një parku gjetën dje trupin e një gruaje të copëtuar, i futur në një thes në një park”.
Duke pas parasysh se ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka ndodhur në kryeqytetin e Francës, Paris, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumet franceze si “LeParisien.fr” dhe “LeBonbon.fr”. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një grua, trupi i së cilës është gjendur i copëtuar brenda një çante në një park të Parisit. Por, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës,hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.