Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar sot (23 mars) një artikull me titull “Ngjarje e rëndë: Babai vret dy djemtë e tij”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk e qartëson vendndodhjen e ngjarjes.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se “një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Turqi, ku një burrë ka shkuar në polici dhe ka thënë se: ‘Fëmijët i dërgova në parajsë, tani erdha këtu’.
Duke e ditur se portali informativ “Kosova-sot.info” është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka të bëjë me Kosovën.
Vegëza e artikullit të publikuar në “kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se ngjarja ka të bëjë me Turqinë, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në disa mediume në gjuhën turke. (këtu, këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull që flet për vrasjen e dy djemve nga babai. Mirëpo, këtij artikulli, ky portal i ka vënë titull përgjithësues që nuk tregon se ku ka ndodhur ngjarja, duke lënë hapësirë për keqinformim.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Turqi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.