[email protected]
Nuk është organizuar kundër-tubim nga shqiptarët ndaj protestës së paralajmëruar të serbëve, siç pretendon Vuçiq
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Presidenti i Serbisë, Alleksandër Vuçiq ka deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, tashmë ka caktuar një tubim si kundër-tubim në raport me protestën e serbëve, e cila pritet të mbahet sot nga ora 11:00 në sheshin “Car Lazar”.

Cila është e vërteta?

Vuçiq pretendon pa asnjë fakt se me urdhër të Kurtit, do të zhvillohet, siç e quan ai, “kundër-tubim”.

Bahtiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka konsideruar se është koha për organizimin e një tubimi masiv të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, ku do të kërkohej hapja e Urës së Ibrit.

Ndërsa, lidhur me deklaratën e Vuçiqit, ka reaguar edhe Kurti, i cili ka thënë se Vuçiq ka pretenduar rrejshëm se shqiptarët do të mblidhen (7 gusht) në Urën e Ibrit.


Çka tha Vuçiq?

“Pashë që Bahtiri me urdhër të Kurtit tashmë kishte caktuar një tubim si kundër tubim në raport me tubimin serb në anën tjetër të urës”. (shih këtu)


Çka tha Bahtiri e Kurti?

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është shprehur se është koha për të organizuar një tubim madhështor, në të cilin, qytetarët e Veriut dhe Jugut të Mitrovicës, njëzëri kërkojnë hapjen e Urës së Ibrit, pasi sipas tij, kjo Urë është e mbyllur padrejtësisht dhe si e tillë po cenon lëvizjen e lirë të qytetarëve. (shih këtu)

Pra, Bahtiri nuk ka caktuar asnjë datë në lidhje me mbajtjen e këtij tubimi dhe se nuk ka asnjë fakt që një tubim i tillë do të mbahet me urdhër të Kurtit, siç pretendon Vuçiq.

Kurti përmes llogarisë së tij në X, demantoi pretendimin e Vuçiqit, duke ka thënë se akuzat e rreme si këto të fundit nga Vuçiqi janë, sipas tij, shpesh pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. (shih këtu)

“Me pretendimet e rreme se shqiptarët do të marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë atmosferë frike dhe të shkaktojë reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë. Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti. (shih këtu)


Ky pretendim i Vuçiqit, u shpërnda dje (6 gusht) edhe në median sociale Telegram nga një llogari në gjuhën serbe “BUNKER”. (shih këtu)

Postimi i publikuar nga llogaria “BUNKER” në Telegram:

Shiptari (term pezhorativ serb për shqiptarët) do të organizojnë nesër një kundër-tubim, si përgjigje ndaj tubimit serb nga ana tjetër e urës.


Veton Elshani zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun në një prononcim për “GazetaExpress.com”, ka demantuar pretendimin e Vuçiqit, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug. (shih këtu)

Kontekst

Është paralajmëruar një protestë e serbëve sot (7 gusht) në pjesën veriore të Kosovës.

Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

“Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani për “GazetaExpress.com” (shih këtu)


Analiza:

Vuçiq ka pretenduar se Agim Bahtiri me urdhër të Albin Kurtit, ka caktuar një tubim si kundër-tubim në raport me protestën e serbëve, e cila pritet të mbahet sot nga ora 11:00 në sheshin “Car Lazar”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. Kurti ka demantuar pretendimin e Vuçiqit, duke e cilësuar si të rremë.

Ndërsa, Bahtiri, përmes llogarisë së tij në Facebook, është shprehur se se është koha për të organizuar një tubim madhështor, në të cilin, qytetarët e Veriut dhe Jugut të Mitrovicës, njëzëri kërkojnë hapjen e Urës së Ibrit. Por, në asnjë rast nuk ka caktuar ndonjë datë në lidhje me mbajtjen e këtij tubimi.

Po ashtu, bazuar në postimin e Bahtirit, në asnjë rast nuk përmendet se një tubim i tillë do të mbahet me urdhët të Kurtit, siç pretendon pa fakte presidenti serb.

Ky pretendim i presidentit serb zuri vend edhe në median sociale Telegram, ku u shpërnda nga një llogari në gjuhën serbe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson deklaratën e Vuçiqit dhe postimin e këtij pretendimi në Telegram, si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »
1406