Disa media në gjuhën serbe kanë publikuar dje (25 prill) një artikull për një plaçkitje të zyrës së kishës ortodokse Shën Nikolla në Shtërpcë.
Lidhur me rastin ka reaguar Ministria e Kulturës së Serbisë. Në këtë reagim, ndër të tjera, pretendohet edhe se mosgjetja dhe ndëshkimi i kryesve të veprës është “pjesë e fushatës së Prishtinës për kërcënime ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë”.
Megjithatë, nga kontrolli i fakteve i bërë nga hibrid.info vërehet se, përpos fotografisë dhe videos, ku shihen Policia e Kosovës duke u marrë me rastin, ky institucion serb nuk ofron fakte shtesë që mbështesin pretendimin se një gjë e tillë vjen si pasojë e fushatës së Prishtinës zyrtare si kërcënim ndaj komunitetit serb.
Vegëza e artikujve të publikuar në disa media në gjuhën serbe:
https://lat.rtrs.tv/vijesti/vijest.php?id=510869
Pjesë të artikullit të publikuar në disa media në gjuhën serbe, të përkthyer në gjuhën shqipe:
“Ky akt vandalizmi, i cili ndodhi vetëm një javë pas sulmit në kishën e Shën Panteleimonit në Prizren, tregon se përdhosja dhe rrezikimi i vazhdueshëm i trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe vazhdon – thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.
Ministria theksoi se është veçanërisht shqetësuese që autorët e sulmeve të tilla, si rregull, nuk gjenden apo ndëshkohen, gjë që është pjesë e fushatës së Prishtinës për kërcënime ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë dhe Metohi.
Reagimi i Ministrisë së Kulturës së Serbisë (këtu) nga ku u bazuan mediat në publikimin e artikujve.

Pjesë të reagimit të Ministrisë së Kulturës së Serbisë:
Është veçanërisht shqetësues fakti që autorët e sulmeve të tilla, si rregull, nuk gjenden apo ndëshkohen, gjë që është pjesë e fushatës së kërcënimeve së Prishtinës ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë e Metohi.
Është veçanërisht hipokrite që incidentet janë bërë më të shpeshta pikërisht në kohën kur përfaqësuesit e Prishtinës, me ndihmën e sponsorëve të tyre, përpiqen që me forcë, me cinizëm dhe kundër të gjitha parimeve dhe standardeve të futen në Këshillin e Evropës, duke shkelur kështu sundimi i ligjit dhe shkelja e parimeve të demokracisë, lirisë dhe të drejtave themelore të njeriut.
Nga ajo që mund të shihet në artikujt e publikuar nga mediat në gjuhën serbe shihet se, të njëjtat, pretendimin nuk e kanë të bazuar atë në fakte.
Është e vërtetë se në fotografi dhe video paraqitet faltorja ortodokse Shën Nikolla në Shtërpcë, (shih këtu) dhe se në të shihen pamje të ekzaminimit të gjurmëve të rastit nga ana e Policisë së Kosovës.

Megjithatë, interpretimi i Ministrisë së Kulturës së Qeverisë së Serbisë se, mosgjetja dhe ndëshkimi i kryesve të veprës është “pjesë e fushatës së Prishtinës për kërcënime ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë”, është pretendim i pabazuar në fakte konkrete.
Pra, përveç pamjeve të kishës përmes së cilave arrihet të kuptohet se ka pasur një plaçkitje, bazuar në ekzaminimin e Policisë së Kosovës, institucioni serb dhe mediat që publikuan këtë informacion nuk japin fakte tjera që mund ta argumentojnë pretendimin e tyre për arsyen dhe qëllimin e këtij veprimi.
Pamjet e publikuara ku shihen ekzaminimet e Policisë së Kosovës dëshmojnë faktin se Policia e Kosovës është duke u marrë me rastin dhe gjetjen e kryesve të veprës.
Për më tepër, pretendime të ngjashme kishim edhe lidhur me rastin e tentim djegies së kishës ortodokse në Prizren, ku si pjesë e punës së identifikimit të kryesve të veprës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për arrestimin e tre e të dyshuarve (dy 15 vjeçar dhe një 13 vjeçar) të përfshirë në rast. (këtu)
Analiza:
Nuk ofrohen fakte rreth pretendimit se mosgjetja dhe ndëshkimi i kryesve të veprës është “pjesë e fushatës së Prishtinës për kërcënime ndaj sigurisë dhe mbijetesës së popullit serb në Kosovë”.
Ministria e Kulturës në Qeverinë e Serbisë, ndërlidhur me këtë ngjarje hedh pretendime të pabaza se mosgjetja dhe ndëshkimi i kryesve të veprës është pjesë e fushatës së Prishtinës.
Si në këtë rast ku shihen video dhe fotografi të ekzaminimit të vendit nga Policia e Kosovës po e kryen detyrën e vet, edhe në raste të tjera, siç është rasti i fundit, lidhur me rastin e tentim djegies së kishës ortodokse në Prizren, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për arrestimin e tre të dyshuarve (dy 15 vjeçar dhe një 13 vjeçar) të përfshirë në rast.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info pretendimin e vlerëson si “teori konspirative”.
Vlerësimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.