Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “myfb.press” sot (7 shtator) ka publikuar një artikull me titull “Qeveria me një strategji të re, Do jepen para edhe për kategori tani”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është i rremë. Në përmbajtje gjendet një lajm i vjetër i vitit 2018, atëkohë kur këshilli i ministrave i Republikës së Shqipërisë kishte miratuar Strategjinë 4-vjeçare të Drejtësisë për të Mitur, mbështetur nga UNICEF.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin e dyshimtë “myfb.press”:
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e djeshme Strategjinë 4-vjeçare të Drejtësisë për të Mitur, mbeshtetur nga UNICEF. Kjo është hera e parë që Qeveria e këtij vendi krijon një kuadër politik të dedikuar drejtësise miqësore per fëmijët.
Miratimi i Strategjisë përbën një lajm të mirë për shumë fëmijë që kërkojnë zgjidhje ligjore për shkeljet e te drejtave te tyre: ai ripohon të drejtën e fëmijëve për te marre drejtësi; ofron bazat për investim publike që ta bejne drejtësine të funksionojë për fëmijët.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “myfb.press”:
Artikulli i vjetër me titull të rremë është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Gazeta”, e cila numëron mbi 200 mijë ndjekës. (shih këtu)
Hibrid.info pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit ka gjetur artikullin e publikuar në kohë reale (20 shtator 2018) në ueb-faqen zyrtare të UNICEF-it për Shqipëri. (shih këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “myfb.press” ka publikuar një njoftim të vjetër të vitit 2018, atëkohë kur UNICEF kishte mbështetur Strategjinë 4-vjeçare të Drejtësisë për të Mitur.
Këtë njoftim të vjetër, portali i dyshimtë “myfb.press” është munduar ta paraqesë si aktual duke i vënë titull të rremë “Qeveria me një strategji të re, Do jepen para edhe për kategori tani”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.