[email protected]
Opinioni i Surroit për rrëzimin e “Qeverisë Kurti 1” paraqitet si deklaratë e ardhur nga Richard Grenell
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet përmbajtje ku pretendohet se Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka shpalosur detaje se si u rrëzua “Qeveria Kurti 1”

Ky pretendim është publikuar (1 gusht) me anë të një artikulli nga mediumi “botasot.info” dhe mban titullin ““Më erdhën në zyre e më thanë jemi gati për ndarjen e Kosovës, vetëm largoje…”, dalin detaje se si “Grenell rrëzoi Kurtin””.

E vërteta?

Nga përmbajtja vërehet se artikulli është bazuar në një postim të Luan Gacaferit, anëtar i kryesisë së partisë “Guxo”, në Facebook, gjë e cila nuk sqarohet në titull.


Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi “botasot.info”:

https://archive.is/Vmmja


Hibrid.info ka hulumtuar në Facebook për postimin e Gacaferit dhe e ka gjetur atë të publikuar më 31 korrik (shih këtu).

Reagimi i tij vjen pas një deklarate të publicistit Veton Surroi, të cilës Gacaferi i është referuar në postim. Deklarata është marrë nga një shkrim opinionist i Surroit, i publikuar po në atë datë (shih këtu). Gacaferi madje ka manipuluar edhe shkrimin e Surroit, duke përmendur ndarjen e Kosovës, gjë të cilën Surroi nuk e ka theksuar, në pjesën e referuar.

Pjesa nga shkrimi i Veton Surroit:

“Donald Trump nuk u zgjua një mëngjes dhe vendosi që ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës; një numër zyrtarësh të Kosovës shkuan tek ambasadori i tij në Berlin, Richard Grenell dhe i thanë se ishin të gatshëm ta rrëzojnë Qeverinë, në mënyrë që të arrihet marrëveshja historike mes Kosovës dhe Serbisë.”

Mbi bazën e këtij mendimi të shprehur nga Surroi, Gacaferi shkroi një status tjetër në Facebook, ku paraqiti këtë opinion si deklaratë të ardhur nga Richard Grenell (shih këtu).

Pretendimi se kjo deklaratë ka ardhur nga vet Richard Grenell, është hasur edhe në një përmbajtje të gjetur në TikTok, të publikuar nga llogaria me emrin “albinkurti_kryeminister” (shih këtu).


Me gjithë pretendimin në artikullin e mediumit “botasot.info”, se Grenell ka dhënë këtë deklaratë për mediat gjermane, hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit, “Google”, por nuk ka gjetur burime kredibile, që konfirmojnë se deklarata u dha nga ish-ambasadori amerikan (shih këtu).


Kontekst:

Hibrid.info ka gjetur një deklaratë të ngjashme publike nga ish-sekretari për Sigurinë Kombëtare në administratën e Trump, John Bolton, i cili ishte shprehur se shkëmbimi i territoreve, ide kjo e cila diskutohej si zgjidhje përfundimtare për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte propozuar nga liderët e këtyre dy vendeve (shih këtu). Ndërsa Grenell kishte mohuar se kishte gisht në rrëzimin e “Qeverisë Kurti 1” (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se ish-ambasadori Grenell ka treguar si u rrëzua Kurti nga qeveria, në vitin e 2021, nuk qëndron.

Hibrid.info ka gjetur se pretendimi paraqet opinion të publicistit Veton Surroit, që është paraqitur si fakt nga një anëtar i Partisë “Guxo”, e më pas për të është raportuar në një artikull informativ nga mediumi “botasot.info”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »
1406