Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një video-material që shfaq pamje festive para natës së vitit të ri në një shesh, me mbishkrimin që pretendon se paraqiten pamje nga veriu i Kosovës.
Kjo përmbajtje është publikuar më 27 dhjetor nga një faqe në Facebook, me emrin “RTV Podguri”.
Cila është e vërteta?
Hibrid.info ka gjetur se pamjet shfaqin atmosferën nga komuna e Mitrovicës së Jugut, komunë e cila banohet nga shumica shqiptare e popullsisë.
Bazuar në komentet e shumta (380 sosh) në këtë publikim, hibrid.info vlerëson se audienca mund ta kuptojë se bëhet fjalë për pamje të atmosferës festive në njërën nga komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit, komuna në të cilat institucionet e Kosovës nuk kanë ushtruar autoritet të plotë, por që kohëve fundit, Qeveria aktuale e Kosovës pretendon se ka kontrollin mbi to.

Hibrid.info ka hulumtuar përmes makinave të kërkimit dhe ka gjetur pamjet e sheshit të njëjtë, të shfaqura në një fotografi të publikuar në faqen e Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport të Komunës së Mitrovicës së Jugut në Facebook.

Në bazë të objektit që shihen në fotografi, mund të kuptohet se bëhet fjalë për pamje nga Mitrovica e Jugut në të dy rastet.
Analiza:
Me anë të një video-material që shfaq pamje festive para natës së vitit të ri sheshin në Mitrovicën e Jugut, pretendohet se paraqiten pamje nga veriu i Kosovës.
Në bazë të komenteve në publikim vlerësohet se përmbajtja mund të kuptohet se paraqet pamje në njërën nga komunat veriore me shumicë serbe.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje s i”Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.