Shkroi: Etrit Rexhepi
Është publikuar një video-material që shfaq pamje të disa vreshtave, për të cilat pretendohet se janë në komunën e Rahovecit.
Kjo përmbajtje me mbishkrimin, “Agrotourism in Rahovec, Kosovo” është publikuar dje (27 mars) në TikTok nga një llogari me emrin, “raho.gazeta”.
Çka nuk shkon me përmbajtjen?
Hibrid.info ka gjetur se pamjet e shfaqura janë të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (IA).

Deri në momentin e trajtimit, kjo video ka marrë mbi 400 mijë shikime.
Përmes “hivemoderation.com”, platformës që verifikon nëse pamjet kanë përmbajtje të gjeneruar nga IA, është vlerësuar se kjo video ka të ngjarë të jetë gjeneruar nga kjo teknologji.

E njëjta video është publikuar edhe në Facebook nga një faqe me të njëjtin emër në Facebook, “Raho Gazeta” (shih këtu).
Por, ndryshe nga videoja e publikuar në TikTok, përshkrimi i vendosur tregon se kjo përmbajtje është gjeneruar nga IA.
Analiza:
Një video me pamje të vreshtave pretendon se shfaq pamje nga komuna e Rahovecit.
Por, hibrid.info ka gjetur se përmbajtja është e gjeneruar nga IA.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.