info@hibrid.info
Pasivizimi dhe ndryshimi i përmbajtjeve të faqeve në Facebook, pas aktivizimit gjatë fushatës zgjedhore
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Disa faqe në gjuhën shqipe në Facebook, të cilat kishin qenë pasive për një kohë të gjatë, u riaktivizuan pak para fillimit të fushatës zgjedhore.

Këto faqe nisën të publikojnë një numër të madh postimesh me përmbajtje politike, duke u fokusuar kryesisht te zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Aktivizimi i papritur i këtyre faqeve dhe intensifikimi i aktivitetit të tyre gjatë periudhës zgjedhore ngjalli dyshime mbi qëllimet dhe ndikimin e tyre në opinionin publik.

Platforma për verifikimin e fakteve, Hibrid.info, nëpërmjet monitorimit të saj të përditshëm, arriti të identifikojë këto faqe dhe të analizojë përmbajtjen që ato shpërndanin. Pjesa më e madhe e postimeve të tyre kishin të bënin me temat politike të fushatës. (lexo artikullin këtu)

Por, cili është aktiviteti aktual i këtyre faqeve dhe çfarë përmbajtje postojnë?

Një shembull konkret i këtij ndryshimi është faqja “Politikajashtme.com”. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, kjo faqe ka ndërruar temën e përmbajtjeve që shpërndan, duke kaluar nga temat politike te ato më të lehta dhe argëtuese.

Në vend të postimeve politike, kjo faqe ka filluar të publikojë kryesisht përmbajtje vizuale, me theks të veçantë video që janë të shkëputura nga spektakli televiziv Big Brother Vip Albania, një reality show i njohur që ka marrë shumë vëmendje në median shqiptare. Deri në shkrimin e këtij artikulli (26 mars), kjo faqe publikon kryesisht video dhe përmbajtje që lidhen me këtë program.

Një fenomen tjetër i dukshëm ka ndodhur edhe me dy faqe të tjera, “Në Kohë” dhe “Kosova e Re”, të cilat gjithashtu u riaktivizuan para zgjedhjeve të 9 shkurtit, por që pas periudhës zgjedhore kanë ndryshuar ndjeshëm aktivitetin e tyre. Pas përfundimit të zgjedhjeve, këto faqe kanë reduktuar dukshëm numrin e postimeve dhe kanë ndryshuar gjithashtu tematikën e përmbajtjeve që ato shpërndajnë.

Faqja “Në Kohë” ka qenë më e moderuar në aktivitetin e saj pas datës 9 shkurt, duke publikuar vetëm 7 postime deri më tani (26 mars), dhe ato të gjitha kanë pasur përmbajtje që lidhen me tema politike. Kjo tregon se, edhe pse u riaktivizua gjatë periudhës zgjedhore, ka pasur një rënie të dukshme të aktivitetit pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Ndërsa faqja “Kosova e Re” ka pasur një aktivitet më të lartë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Nga 9 shkurti deri më 26 mars, kjo faqe ka postuar më shumë se 40 përmbajtje të ndryshme. Ajo ka trajtuar tema të larmishme, përfshirë aspekte politike, por edhe përmbajtje të tjera si fotografi, video me tema sociale, si dhe pamje vizuale që shoqërohen me prapavijë muzikore.


Ndryshe nga faqe të ndryshme në Facebook që ndryshuan tematikën ose reduktuan numrin e postimeve pas zgjedhjeve, një fenomen tjetër ka ndodhur me llogaritë në TikTok. Hibrid.info ka zbuluar se më shumë se dhjetë llogari në TikTok u mbyllën pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Këto llogari publikuan keqinformata para dhe gjatë fushatës zgjedhore. (shih artikullin këtu)


Qëllimi i platformës hibrid.info është kontributi në ofrimin e informacionit të saktë, të bazuar në fakte përmes analizës së kontrollimit të fakteve të paraqitur në media dhe publikime tjera, për të zbehur ndikimin e keqinformimit që vijnë si dezinformatë, teori konspirative, pseudo-shkencë, lajme të rreme, përmbajtje e pa verifikuar, clickbait dhe forma tjera.

Analiza e kontrollimit të fakteve bëhet bazuar në metodologjinë e platformës e cila është publike.

Përmes verifikimit rigoroz të informacionit në të gjitha llojet e mediave dhe kanaleve tjera të komunikimit, ne dëshirojmë që publikut t’i ofrojmë fakte të mjaftueshme që do të shërbejnë për të dalluar qartë burimet kredibile dhe të besueshme nga ato të pabesueshme apo të dyshimta.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »