info@hibrid.info
Përmes një videoje të vjetër pretendohet rrejshëm se Kurti vizitoi Listën Serbe për t’u koordinuar për formimin e qeverisë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

U publikua një imazh ku shihet kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe prapa tij zyrat e Listës Serbe në Leposaviç.

Përmes këtij postimi pretendohet se Kurti ka vizituar Listën Serbe në Veri të Mitrovicës për t’u koordinuar me këtë subjekt politik për formimin e qeverisë.

Postimi u gjet i publikuar me datë 12 shkurt në Facebook nga faqja “Prishtina”.

E vërteta?

Pas kontrollit të fakteve u vërteta se imazhi është shkëputur nga një video e vjetër (16 janar) dhe pretendimi është i rremë.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë videon autentike të publikuar në faqen e portalit Kosovanews.net në Facebook me datë 17 janar. (shih këtu)

Në përshkrimin e kësaj videoje, sqarohet se pamjet janë xhiruar gjatë janarit, atëkohë kur Kurti gjatë vizitës në Leposaviç kishte kaluar pranë zyreve të Listës Serbe gjatë vizitës në pikën e marketit Interex në këtë komunë.


Kurti me datë 16 janar kishte postuar një fotografi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook me përshkrimin “Për harxhin e mëngjesit në INTEREX në Leposaviq”.

Rrjeti i marketeve “INTEREX”, me datë 9 tetor 2024 kishte hapur dyqanin në Leposaviç. (këtu)


Analiza:

Përmes një fotografie u pretendua se Kurti shkoi në zyrat e Listës Serbe për t’u koordinuar me këtë subjekt politik për të formuar qeverinë.

Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se pretendimi është i rremë. Imazhi është shkëputur nga videoja e vjetër e realizuar më 16 janar kur Kurti kishte vizituar pikën e hapur vitin e kaluar, të marketit Interex në Leposaviç.

Kurti në videon autentike teksa shkon në marketin Interex, shihet duke kaluar pranë zyrave të Listës Serbe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson postimin e bërë në Facebook nga faqja “Prishtina” si “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »