info@hibrid.info
Petkoviqi ndërlidh pa fakte ndërtimin e nënstacionit të ri policor në Zveçan me pushtim të veriut
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Është pretenduar se ndërtimi i një nënstacioni të ri policor në komunën e Zveçanit, është “vazhdimësi e militarizimit ilegal dhe të dhunshëm si dhe i pushtimit të veriut të Kosovës”.

Pretendimi u bë nga Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nëpërmjet një komunikate në uebfaqen e kësaj zyre, të publikuar më 25 nëntor.

Çka thuhet në deklaratën e Zyrës së Petkoviqit?

Në deklaratë, Petkoviqi ka pretenduar se në veri të Kosovës po hapen vetëm stacione policore e qendra okupimi, se Prishtina zyrtare po përgatit sulme mbi serbët e se kjo po bëhet qëllimisht nga Kurti në prag të zgjedhjeve të reja të përgjithshme, që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë.

“Albin Kurti vazhdoi militarizimin ilegal dhe të dhunshëm dhe pushtimin e veriut të Kosovës dhe Metohisë duke ndërtuar një stacion tjetër policor, këtë herë në komunën e Zveçanit, në Izovor, dhe siç u mburr ai, dy kilometra larg vijës administrative”.

“E vetmja gjë që ai hap dhe ndërton në veri të Kosovës dhe Metohisë janë bazat policore, stacionet, qendrat e okupimit, ku i vendos falangat e tij policore monoetnike me plumba në tyta”.

“Beogradi vazhdimisht paralajmëron se Prishtina po përgatitet të sulmojë popullin serb në veri të Kosovës dhe Metohisë dhe dëshiron të shkaktojë konflikte dhe kriza në këtë zonë në mes të fushatës zgjedhore, sepse Kurti nuk ka asnjë politikë apo rezultat tjetër për të ofruar, dhe me vetëdije ngre tensione dhe haptazi kërcënon e tund armët”.

“Dua t’ju kujtoj se qëkur ai erdhi në pushtet, katër baza ilegale janë krijuar në veri të Kosovës dhe Metohisë, në Zubin-Potok dhe Leposaviq, që në Leposaviq tri stacione policore të reja janë hapur apo po ndërtohen, që një stacion policor po krijohet në Zubin-Potok pranë shkollës fillore serbe, ndërsa në Zveçan Kurti përdor ndërtesat e komunës për t’i vendosur njësitet speciale”.

“Dihet mirë se që nga ardhja e Kurtit në pushtet, shtatë serbë janë qëlluar me armë, që njësitet e tij terrorizojnë dhe keqtrajtojnë gra dhe fëmijë dhe i ndalojnë ata që incizojnë terrorin e tyre ose e kundërshtojnë duke ecur paqësisht”.

Për shkak të këtij militarizimi dhe fortifikimi të veriut të Kosovës dhe Metohisë, askush s’duhet të befasohet që serbët po largohen nga veriu i provincës, sepse në këtë pushtim policor që po kryhet nuk ka jetë për serbët në veri të Kosovës dhe Metohisë, dhe ky është plani i tij”, u tha ndër të tjera në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.


Çka thotë Kryeministria?

Më 25nëntor, ueb-faqja e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës (ZKM) njoftoi për vendosjen e gurit të themelit të nënstacionit policor në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit. Aty u tha se ky nënstacion policor është “dy kilometra larg kufirit me Serbinë”.

Ndër të tjera, në njoftimin e ZKM-së thuhet se ky objekt do t’i shërbejë policisë kufitare “e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare”.

“Të premten e javës që lëmë pas, është vënë gurthemeli i nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë e po punohet intensivisht në ndërtimin e objektit të Policisë dhe ARC-së në Leshak, ku vumë gurthemelin para një muaji. Të gjitha këto investime po bëhen me qëllim të sigurimit të kushteve të dinjitetshme të punës për policët tanë, të cilët shërbejnë në këtë pjesë dhe ngritjes së kapaciteteve për ofrimin e sigurisë për vendin tonë”, u tha në njoftimin e ZKM-së.


Analiza

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, që për drejtor ka Petar Petkoviqin, ka bërë një pretendim të pabazë se gjoja me hapjen e nënstacionit policor në Zveçan, qëllimi i Qeverisë së Kosovës është pushtimi i veriut (këtu).

Ndërkaq, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e këtij nënstacioni policor, thuhet se ai do të jetë në shërbim të Policisë Kufitare “e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare”.

Në bazë të deklarimit të kryeministrisë, nuk bëhet fjalë për “pushtim” apo “militarizim ilegal”, por kemi të bëjmë me ndërtim të një nënstacioni të policisë kufitare.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Teori konspirative”.

Teoritë konspirative

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »