Organizata joqeveritare (OJQ) Aktiv nga Mitrovica Veriore pretendon se drejtori i tyre, Miodrag Miliçeviq, më 14 nëntor është ekspozuar ndaj “ngacmimit fizik dhe verbal”, duke akuzuar pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për një veprim të tillë.
Në komunikatën e OJQ-së Aktiv, thuhet se një pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës e ka veçuar Milliçeviqin nga kolona në vendkalimin në Jarinje dhe e ka goditur me grusht në bark gjatë marrjes në pyetje.
Pretendimi i OJQ Aktiv është publikuar në disa media serbe duke u interpretuar në titull si goditja e serbëve është plani i vetëm i Kurtit.
Artikujt e publikuar në mediat serbe mbajnë këta tituj: “GODET SERBËT! Plani i vetëm i Albin Kurtit! Forcat speciale shqiptare rrahën Milliçeviqin! (Alo.rs) dhe “DEMOKRACIA E KURTIT – GODITJA E SERBËVE, PROGRAMI I VETËM I TIJ!” (Novosti.rs).
Vegëza e komunikatës së publikuar nga OJQ Aktiv:
http://ngoaktiv.org/alb/news/excessive-use-of-force-by-the-kosovo-police?fbclid=IwAR05zpjFd-bXFG9hDHGZe5r622sgyTn8SJl9fVQ2iWosE9bgDREU6JxqruY
Vegëzat e artikujve të publikuar në mediat serbe:
https://informer.rs/vesti/politika/749431/miodrag-milicevic-nvo-aljbin-kurti-maltretiranje-program
Pjesë të komunikatës së publikuar nga OJQ Aktiv:
Përmes kësaj komunikate njoftojmë opinionin publik, autoritetet kompetente policore dhe gjyqësore, si dhe institucionet dhe përfaqësuesit vendorë dhe ndërkombëtarë, se sot, të hënën më 14 nëntor, në veri të Kosovës, drejtori ekzekutiv i OJQ AKTIV Miodrag Milliqeviq, iu nënshtruar abuzimit fizik dhe verbal nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, në afërsi të vendkalimit në Jarinje, kur drejtori ekzekutiv i OJQ-së, Miodrag Milliqeviq, është ndaluar nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës dhe ndarë nga kolona, ku gjatë marrjes në pyetje nga një pjesëtarë i njësisë në fjalë është goditur në bark.
Njëkohësisht, nga të njëjtit pjesëtarë, Milliqeviqi iu është nënshtruar abuzimeve verbale të cilët i kanë bërtitur dhe kanë kërkuar nga ai që të “mbyll gojën” duke e pyetur “pse nuk posedon dokumente të Kosovës”.
OJQ Aktiv hedh pretendimin se drejtori i kësaj organizate Milorad Miliçeviq është ngacmuar fizikisht dhe verbalisht nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, duke mos ofruar ndonjë dëshmi konkrete për këtë.
Ky pretendim përveç se zuri vend në mediat serbe, ai u interpretua si veprim në kuadër të, siç quhet, planit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për goditje të serbëve.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës i ka quajtur të pavërteta këto pretendime. Sipas njoftimit të policisë, personi me inicialet MM ka kaluar pa problem në vendkalimin e Jarinjes pas përfundimit të procedurës në kufi. Po ashtu potencohet se ndaj tij nuk ka pasur asnjë incident apo maltretim siç deklarohet apo aludohet në shkrimet e publikuara. (këtu)
Po ashtu Policia e Kosovës ka shtuar se “Me qëllim të riverifikimit janë ndërmarrë masa shtesë, ku zyrtarët policorë me detyrë në Jarinje kanë pyetur edhe palën serbe nëse dikush ka paraqitur ndonjë ankesë, ku nga mbikëqyrësi i ndërrimit të palës serbe është konfirmuar se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë për sjellje jo të mirë apo diçka të kësaj natyre.” (këtu)
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vlerëson se në hetimin fillestar nuk ka indicie për keqtrajtimin e pretenduar. Ai përmes një postimi në Twitter tha se ka kërkuar raport dhe hetim nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) për atë që ka ndodhur. (këtu)
Analiza:
Organizata joqeveritare (OJQ) Aktiv nga Mitrovica Veriore pretendon se drejtori i tyre, Miodrag Milliçeviq, më 14 nëntor është ekspozuar ndaj “ngacmimit fizik dhe verbal” nga ana njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Pretendimi i OJQ-së Aktiv ka zënë vend në disa media serbe me pretendime tendencioze dhe pa fakte se goditja e serbëve është plan i Kurtit.
Ky pretendim është quajtur i pavërtetë nga Policia e Kosovës dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, se në hetimin fillestar nuk ka indicie për keqtrajtimin e pretenduar.
Në bazë të metodologjisë së punës, hibrid.info, vlerëson se këto pretendime klasifikohen si “përmbajtje e pa verifikuar”.
Vlerësimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.