Portali informativ “Periskopi.com” ka publikuar dje (10 nëntor) në faqen zyrtare në Facebook një fotografi në të cilën shihet portreti i sulmuesit kosovar të Mallorca-s, Vedat Muriqi, i vendosur në një mur.
Kësaj fotografie, ky portal i ka vënë mbishkrimin “Muriqi trajtohet si ‘mbret’ në Mallorca”.
Mirëpo, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e montuar. Pra, në këtë pjesë të murit nuk është vendosur portreti i Muriqit.
Vegëza e postimit të publikuar në faqen e Periskopi.com në Facebook:
Pas hulumtimit të bërë përmes programit te automatizuar online “InVID” për kontroll faktesh, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se kjo fotografi është e montuar, pasi në imazhin e vërtetë nuk gjendet portreti i Muriqit, por në të është logoja e skuadrës Mallorca si dhe shkruan “FAN SHOP TIENDA OFICIAL RCD MALLORCA”. (shih këtu)
Në bazë të hulumtimit, fotografia autentike e gjetur në platformën online për fotografi “Shutterstock”, e realizuar me datë 26 korrik të vitit 2015, ndërsa në përshkrimin e saj thuhet: “Pamje e jashtme e stadiumit të futbollit më 26 korrik 2015 në Son Moix, Palma de Mallorca, ishujt Balearik, Spanjë”.
Fakt tjetër shtesë se fotografia është e vjetër dhe e montuar, e tregon edhe pamja e veturës ngjyrë e kuqe që shihet në sfond të këtij imazhi, si dhe kuadri i fotografisë është i njëjtë.
Analiza:
Portali “Periskopi.com” ka publikuar një fotografi në faqen zyrtare në Facebook, në të cilën shihet portreti i futbollistit Vedat Muriqi i pikturuar në mur.
Por, pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo fotografi është e montuar, ndërsa në atë reale të realizuar në vitin 2015, gjendet logoja e skuadrës së futbollit Mallorca afër së cilës shkruan “FAN SHOP TIENDA OFICIAL RCD MALLORCA”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim të “Periskopi” si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Aryetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.