info@hibrid.info
Pretendim i pasaktë se Limaj s’mund të marrë post qeveritar nëse hyn në Qeveri me Kurtin
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe dy kandidatë të kësaj partie që pritet të bëhen deputetë, nuk mund të marrin poste qeveritare në një marrëveshje potenciale me Lëvizjen Vetëvendosje.

Artikulli pretendon se nëse Limaj dhe dy deputetët marrin poste qeveritare, ulëset e tyre në Kuvend do t’i zënë kandidatët e AAK-së e se kjo do t’ua rrezikonte shumicën një bashkëpunimi të mundshëm VV-Nisma.

Pretendimi me titull “Limaj e deputetët e tij s’mund të marrin asnjë post qeveritar nëse hyjnë në Qeveri me Kurtin” u publikua në portalin “gazetaexpress.com” të premten (21 shkurt). Përmbajtja e ngjashme u shpërnda edhe në disa media të tjera.

Çka përmban artikulli?

Edhe pse nuk e përmend në titull, artikulli e ka marrë për bazë një postim në Facebook nga analisti Bekim Salihu nga Instituti “GAP”.

Salihu ka thënë se nëse deputetët e Nismës do të merrnin poste qeveritare, ata detyrohen t’i lirojnë ulëset në Kuvend. Sipas tij, deputetët e Nismës do të zëvendësoheshin nga kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me të cilin subjekt Nisma ishte në koalicion parazgjedhor.

Por çka nuk shkon me këtë artikull?

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare, koalicioni AAK-Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët, në legjislaturën e re pritet t’i ketë 8 ulëse në Kuvend. Këtu nuk hyjnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara, që mund t’i ndryshojnë kalkulimet.

Në momentin e publikimit të artikullit, kandidatët më të votuar të këtij koalicioni ishin:

Nga 8 më të votuarit në koalicion, Fatmir Limaj, Arbëreshë Krasniqi dhe Vesel Krasniqi janë anëtarë të Nismës Socialdemokrate.

Por për shkak se në top-tetëshe janë vetëm dy gra, kuota ligjore e detyron Vesel Krasniqin t’ia lirojë vendin një gruaje. Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme parashihet që “numri i përgjithshëm i vendeve të ndara për gjininë pakicë të jetë së paku 30 për qind (neni 111)”. Në këtë rast, në grupin me tetë anëtarë, të paktën tri duhet të jenë gra. 

Time Kadrijaj (AAK) dhe Arbëreshë Krasniqi (Nisma) ishin pjesë e top 8 më të votuarve në koalicion. Ndërsa gruaja e parë pas tyre ishte Xhevahire Izmaku (Nisma), që duhet të përfshihet në Kuvend për shkak të kuotës që e parasheh ligji. (shih ligjin, neni 111)

Nëse llogaritet kjo listë, me rezultatet aktuale Nisma do t’i ketë tre deputetë: Fatmir Limajn, Arbëreshë Krasniqin dhe Xhevahire Izmakun.

Vesel Krasniqi pra mbetet i pari në “listë të pritjes”. Kjo nënkupton, se nëse Limaj merr ndonjë post qeveritar dhe liron ulësen në Kuvend, atëherë deputet do të bëhej Krasniqi.

E në rast se bëhet ministre ndonjëra prej deputeteve Krasniqi apo Izmaku, vendin e tyre si deputete do ta zinte Albana Bytyqi e AAK-së, bazuar në rezultatet aktuale.


Sipas Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, deputeti nuk mund të jetë njëkohësisht edhe kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër apo zëvendësministër. Me rastin e emërimit të një deputeti në këto funksione, mandati i tij si deputet përfundon në ditën e emërimit si anëtar i qeverisë. (shih këtu)


Pos ligjit, hibrid.info ka verifikuar në raste të mëhershme të ndarjes së ulëseve. Shembulli i njëjtë ishte në vitin 2010 kur Koalicioni AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK kishte marrë 8 ulëse. Nga to, tri ishin ndarë për gratë (përfshirë dy që u bënë deputete falë kuotës gjinore). (shih këtu)

Artikulli me pretendim të njëjtë u publikua edhe në disa portale të tjera (Shih këtu, këtu, këtu dhe këtu).

Rezultatet aktuale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar në uebfaqe të dhënat prej 99.96 për qind e vendvotimeve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga to, koalicioni AAK-Nisma, Konservatorët, Intelektualët i kanë 7.46 për qind, që në ulëse në përllogaritjen aktuale parasheh tetë ulëse. Vesel Krasniqi mbetet kandidati i parë mashkull që mbetet jashtë listës për deputetë.

E garës i prin Lëvizja Vetëvendosje, që sipas kalkulimeve aktuale, pritet t’i ketë 47 deputetë. (Shih këtu)

Kuvendi i Kosovës i ka 120 deputetë (përfshirë 20 nga komunitetet joshumicë). Shumica nënkupton 61 vota.


Raportimet për përfshirje të Nismës Socialdemokrate në bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje u shtuan pas deklarimit të Limajt se në koalicion kanë qenë bashkë me AAK-në, por se janë dy parti të ndara dhe shprehu gatishmëri për bashkëpunime. (Shih këtu)


Analiza:

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se deputetët e Nismës Socialdemokrate brenda koalicionit me AAK-në, nëse do të merrnin poste qeveritare, ulëset e tyre do të ziheshin nga kandidatë të AAK-së.

Por ky pretendim, që u bazua në një postim në Facebook të Bekim Salihut, është i pasaktë. Nëse Fatmir Limaj i Nismës merr post qeveritar të supozuar, vendin e tij do ta zinte kandidati i Nismës, Vesel Krasniqi, dhe jo ndonjë i AAK-së.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë artikull e vlerëson si “përmbajtje e paverifikuar”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »