Shkroi: Etrit Rexhepi
Faqja në Facebook me emrin “The Reis” ka publikuar dje (27 mars) një status ku shkruhet “Burimet lokale raportojnë se një gjeneral i lartë i NATO-s është vrarë në Ukrainë.”.
Pas verifikimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë burim kredibil, i cili konfirmon pretendimin në këtë status.
Faktin që ky pretendim fillimisht është publikuar në mediat në gjuhën ruse, hibrid.info e ka vlerësuar si bazë të mjaftueshme për trajtim të këtij pretendimi.
Vegëza e statusit të publikuar nga faqja “The Reis” në Facebook:
Hibrid.info ka hulumtuar ne anë të makinës së kërkimit, “Google”, për pretendimin e njëjtë, në gjuhën shqipe (këtu) dhe në atë angleze (këtu), por nuk ka gjetur burime që e konfirmojnë atë.
Të vetmet burime që kanë publikuar të njëjtin pretendim, janë disa nga mediat në gjuhën ruse, të cilat kanë shkruar për vdekjen e një gjenerali polak, Adam Marczak, duke aluduar se ky i fundit është vrarë në Ukrainë (shih këtu dhe këtu).
Këto media ruse nuk kanë ofruar fakte për pretendimin por janë bazuar në mungesën e sqarimit të mënyrës së vdekjes se gjeneralit, ndonëse hibrid.info ka gjetur njoftimin e Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura Polake, të publikuar në llogarinë zyrtare në “X”, ku bëhet e ditur se gjenerali Marczak ka vdekur jashtë detyrës nga shkaqe natyrore (shih këtu).
Vdekja e gjeneralit polak ashtu siç është njoftuar nga autoritetet zyrtare ushtarake në Poloni, është gjetur e publikuar edhe nga disa media në gjuhën polake (shih këtu dhe këtu)
Derisa aludimet të cilat e lidhin vdekjen e gjeneralit polak edhe disa të tjerëve (këtu), kanë të bëjnë me propagandën ruse e cila implikon NATO-n me pjesëmarrjen të drejtpërdrejtë në luftimet në Ukrainë (këtu), hulumtimet e hibrid.info ka vërtetuar se ende nuk ka vendim-marrje të organizatës më të madhe ushtarake, për të dërguar trupa në Ukrainë (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Pretendimin për vrasjen e një gjenerali të lartë të NATO-s në Ukrainë, nuk është i vërtetë.
Hibrid.info ka faktuar se bëhet fjalë për vdekjen e një gjenerali polak nga shkaqet natyrore, të cilën mediat në gjuhën ruse janë munduar ta lidhin me luftën në Ukrainë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Vlerësimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.