[email protected]
Shitet online produkti “O CAPS” me pretendimin e rremë se është ilaç që ndihmon në rikthimin e shikimit
shape
shape
shape

Një ueb-faqe e dyshimtë me emrin “xk3.ndconsen.com” promovon një produkt mjekësor që mban emrin “O CAPS”, me pretendimin se i njëjti është në shitje dhe se ndihmon në rikthimin e shikimit, e që ndikon tek secila moshë.

Brenda përmbajtjes promovuese përmendet edhe emri i një personi “Jakup Cani” bashkangjitur me një portret të një burri, që pretendohet se është shqiptar dhe se i njëjti ka zbuluar këtë produkt mjekësor.

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se fotografia e përdorur e këtij burri gjendet në platforma online për fotografi dhe se nuk ka asnjë fakt që ai është shqiptar, ose se i njëjti quhet Jakup Cani.

Gjithashtu, produkti “O CAPS” që pretendon se ndihmon në rikthimin e shikimit, është produkt i rremë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “xk3.ndconsen.com”:

https://xk3.ndconsen.com/?utm_medium=paid&utm_source=fb&utm_id=120207267473550254&utm_content=120207267563430254&utm_term=120207267563410254&utm_campaign=120207267473550254&fbclid=IwAR3SaShM3WtaI1t3RInuAYhYcg_JldK82ytxkJTgJDUjng1BUN4UM7HlzYg_aem_AWr3i7Ju_yMD3z_vaZ3kvbQFcgntJ308kvkSw880ZK82DFgHFtvly667TR7yKO4JQygDdTrQ8It0iJacIG_ia8-d


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar nga kontrollues faktesh nga Sllovenia “Razkrinkavanje.si”, ku është vërtetuar se produkti “O CAPS” është i rremë dhe në muajin shkurt 2023, Agjencia Publike e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Slloveni, vendosi produktin “O Caps” në listën e produkteve që paraqiten si ilaçe, por që nuk janë të regjistruara si ilaçe. (shih këtu)


Hibrid.info ka hulumtuar edhe rreth fotografisë së personit që pretendohet të jetë shqiptar me emrin Jakup Cani, ku është gjetur se ky imazh gjendet që nga viti 2021 në platformat online për ngarkim fotografish si “shutterstock.com” dhe “alamy.com”. (shih këtu dhe këtu)

Në asnjërën nga këto platforma nuk ka të dhëna se emri i personit është Jakup Cani, siç pretendohet nga ueb-faqja e dyshimtë “xk3.ndconsen.com”.


Në artikullin që flet rreth produktit “O CAPS” gjendet edhe një intervistë që pretendohet të jetë realizuar me doktorin Mentor Petrela.

Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo intervistë është fiktive, pra nuk është e vërtetë që është realizuar me doktorin Petrela, pasi e njëjta nuk është gjetur e publikuar në asnjë medium. (këtu)

Tjetër gjë që e bën këtë intervistë jo reale, është edhe fakti se doktori shqiptar, Mentor Petrela është neurokirurg (shih këtu). Pra, i njëjti nuk është doktor i syve (oftamolog), që do të mund të ishte person kredibil për të folur rreth këtij produkti “O CAPS” që pretendohet se ndihmon në rikthimin e shikimit.


Në fund të kësaj përmbajtjeje promovuese të publikuar në ueb-faqen e dyshimtë “xk3.ndconsen.com”, gjendet edhe një pjesë e komenteve, që shihen se të njëjtit e kanë lavdëruar këtë produkt (O CAPS).

Në asnjërin nga këto profile, nuk është e mundur që të klikohet në mënyrë që të vërtetohet se të njëjtit janë realë.

Hibrid.info ka kërkuar në Facebook këta emra, e që nuk është shfaqur asnjëri nga ta. Gjithashtu, disa prej tyre përmbajnë emra burrash, e në fotografi shfaqen gra, si dhe e kundërta. (shih fotografinë më poshtë)


Analiza:

Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se për të shitur këtë produkt që pretendohet rrejshëm se i njëjti ndihmon në rikthimin e shikimit, është përdorur një intervistë e rreme dhe një fotografi e një personi, në mënyrë që ta bëjë artikullin më të besuar te lexuesit.

Kontrollues faktesh nga Sllovenia “Razkrinkavanje.si”, në artikullin e publikuar në lidhje me këtë produkt, kanë sqaruar se i njëjti është i rremë dhe se Agjencia Publike e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Slloveni, e ka vendosur “O Caps” në listën e produkteve që paraqiten si ilaçe, por që nuk janë të regjistruara si ilaçe.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka vlerësuar këtë artikull si “Mashtrim”.


Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others