Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “Albasky.com” ka publikuar artikullin me titull “Fahri Xharra: Biden ka rrënjë shqipëtare, vjen nga fshati Protapapë i Korçës ja faktet”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, i cili rezulton të jetë i rremë, pasi në përmbajtje nuk përmendet askund emri i publicistit Fahri Xharra.
Për ta plotësuar edhe më shumë këtë fakt, hibrid.info ka kontaktuar me publicistin Xharra, i cili e ka mohuar të ketë thënë se presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka rrënjë shqiptare.
Artikulli i publikuar nga portali i dyshimtë “Albasky.com”:
Fahri Xharra: Biden ka rrënjë shqipëtare, vjen nga fshati Protapapë i Korçës ja faktet
Tashmë duket të jetë e qartë se nuk ka një njeri të suksesshëm në botë, i cili nuk është pjesë e njërës nga degët e trungut autokton në kontinentin e vjetër të Evropës, trungun pellazgo-iliro-shqiptar.
E për të ia vënë tapën kësaj pune, triumfuesi i zgjedhjeve në SHBA Joe Biden del të ketë po ashtu rrënjë të thella në mesin e shqiptarëve.
Vegëza e artikullit të publikuar në “Albasky.com”:
Ky lajm i rremë është publikuar edhe në Facebook nga faqja “Gazeta Aktive”, e cila numëron mbi 90 mijë ndjekës. (shih këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “Albasky.com” ka publikuar një artikull me pretendim të rremë se publicisti, Fahri Xharra, ka thënë se Joe Biden ka rrënjë shqiptare.
Hibrid.info ka kontaktuar me Xharrën, i cili e ka mohuar se ka thënë një gjë të tillë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.