[email protected]
Pretendime të pabaza për përfshirjen e Prishtinës zyrtare dhe strukturave komunale në rastin e Kishës Ortodokse në Podujevë
shape
shape
shape

Postimi i priftit ortodoks shqiptar, At Nikolla Xhufka, me fotografi në një kishë ortodokse në komunën e Podujevës, është interpretuar me një pretendim të pa bazë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Dioqeza Rashkë-Prizren si veprim i koordinuar me “Prishtinën Zyrtare” dhe aludojnë edhe për një përfshirje të strukturave komunale.

At Nikolla Xhufka, i njohur si drejtuesi i Kishës Katakomb “Shën Kozmai” në Elbasan, nëpërmjet një postimi të bërë në profilin e tij në Facebook, më 28 nëntor, dhe përmes fotografive kishte prezantuar një meshë në një kishë ortodokse në komunën e Podujevës në Kosovë.

Në përshkrimin e këtij postimi prifti At Nikolla kishte shkruar: “për herë të parë në historinë e Kosovës (Dardanisë), u mbajt Mesha e Parë Ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshati Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit!”

Ai në këtë postim (ora 18:01) thekson faktin se “të pranishëm në këtë ngjarje historike ishin përfaqësues të Komunës, përfaqësues të Partisë Konservatore, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare dhe të tjerë”. Ndërsa, dhjetëra minuta më pas, postimi i tij është edituar duke larguar nga teksti pjesën ku përmenden përfaqësues të Komunës.

Rreth kësaj ngjarjeje kanë reaguar Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe si dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Duke iu referuar lajmit të publikuar në një portal informativ në gjuhën shqipe lidhur me ngjarjen Dioqeza deklaron se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe përfaqësues të komunës së Podujevës.

Ndërsa Zyra e ndërlidh pa fakte ngjarjen me Prishtinën zyrtare.


Vegëzat e publikimeve të bëra nga Ati, Zyra dhe Dioqeza:

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=364222026059120&id=100074139765485&ref=embed_post

https://eparhija-prizren.com/en/statements/communique-of-the-serbian-orthodox-diocese-of-raska-and-prizren/

https://kim.gov.rs/lat/v5398.php


“Sot më datë 28 nëntor 2023, për herë të parë në historinë e Kosovës (Dardanisë), u mbajt Mesha e Parë Ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshati Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit!Të pranishëm në këtë ngjarje historike ishin përfaqësues të Komunës, përfaqësues të Partisë Konservatore, përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare etj.”, ka shkruar Xhufka në Facebook.

Dioqeza Rashkë-Prizren në reagimin në faqen e tyre zyrtare e kanë quajtur Xhufkën prift të rremë për të cilin thonë se është futur dhunshëm në Kishën e Kryeengjëllit Mihaill, duke shtuar se në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe përfaqësues të Komunës së Podujevës. (këtu)

Komuna e Podujevës është deklaruar lidhur me reagimin e Dioqezës për përfshirjen e zyrtarëve komunalë në këtë ngjarje, duke e bërë të ditur se asnjë përfaqësues i tyre nuk ka marrë pjesë në cilësinë zyrtare në një meshë të organizuar. Sipas reagimit të Komunës thuhet se pjesëmarrësi ka marrë pjesë vetëm si individ që përfaqëson vetveten, dhe duke e mohuar se ka përfaqësuar Komunën. (këtu)

Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ngjarjen e ndërlidh në mënyrë të pabazë me Prishtinën zyrtare. Një akt i tillë, që siç e quajnë ata  “të dhunshëm dhe të planifikuar”, sipas tyre nuk do të mund të realizohej pa dijeninë dhe mbështetjen e institucioneve në Prishtinë, në krye me Albin Kurtin. (këtu)

Por Zyra, nuk ofron ndonjë fakt apo burim për ta bazuar ndërlidhjen që e bënë me Prishtinën zyrtare dhe kryeministrin Kurti.


Analiza:

At Nikolla Xhufka organizoi një meshë ortodokse në shqip në Komunën e Podujevës, fshatin Rakinicë, dhe pikërisht në Kishën e Shën Mihaillit, ngjarje kjo mbi të cilën u ngritën pretendime nga Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Dioqeza pretendoi se edhe Komuna e Podujevës është e përfshirë për shkak të pjesëmarrjes të zyrtarëve të saj, e që kjo u demantua nga vet Komuna, duke bërë të ditur se asnjë zyrtar i Komunës nuk ka marrë pjesë në cilësinë zyrtare.

Nga ana tjetër, Zyra pretendon pa fakte se kjo ngjarje është organizuar nën dijeninë dhe mbështetjen e institucioneve të Prishtinës, në krye me Albin Kurtin.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këto pretendime i vlerëson si “përmbajtje e paverifikuar” dhe “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »