Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, përmes një njoftimi të publikuar dje (24 gusht) në ueb-faqen e tyre zyrtare, kanë publikuar një komunikatë, përmes së cilës pretendohet pa fakte se mbishkrimi UÇK i shkruar në tabelën emërtuese në fshatin Batushë afër Graçanicës është kërcënim i organizuar ndaj serbëve të mbetur në jug të Ibrit.
Pretendimi i ngritur nga ky institucion serb është publikuar në ueb-faqen e tyre me titull – “Grafitet e terroristes ‘UÇK’ në tabelë me mbishkrimin e fshatit Batushë”.
Ky pretendim i këtij institucioni për prapavijën e mbishkrimit “si pjesë e kërcënimeve të organizuara për dëbimin e serbëve nga pjesa jugore e Ibrit”, bie ndeshë edhe përmes deklaratave të përfaqësuesit serb të fshatit Batushë, i cili thotë se nuk ka informacione se kush e ka bërë këtë.
Vegëza e komunikatës së bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:
https://www.kim.gov.rs/v4844.php
Pjesë të komunikatës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë të përkthyera në shqip:
Në fshatin Batushë, afër Graçanicës, një tabelë me mbishkrimin e këtij vendi ishte gërmuar me ngjyrë të kaltër dhe mbi të ishte shkruar emri i terroristit “UÇK”, gjë që shkaktoi shqetësim dhe shqetësim të madh te serbët që jetojnë këtu.
Për shkak të shpeshtësisë së këtyre incidenteve, ato nuk mund të shihen më si raste të izoluara, por si kërcënime të organizuara dhe të planifikuara të serbëve të mbetur në jug të Ibrit me qëllim të dëbimit të tyre nga shtëpitë e tyre.
Ky incident vjen në një ditë kur në Prishtinë po qëndrojnë zyrtarë botërorë, të cilëve politikanët shqiptarë e paraqesin Kosovën dhe Metohinë si një oaz të multietnicitetit, ndërsa situata në terren i përgënjeshtron çdo ditë.
Zyra për Kosovë dhe Metohi me këmbëngulje thekson shkallën e rrezikshmërisë së popullit serb në Kosovë dhe Metohi dhe çdo ditë apelon për qetësimin e tensioneve dhe përmirësimin e situatës së sigurisë, por është evidente se politikanët nga Prishtina nuk kujdesen për serbët sepse ata madje nuk kanë dënuar publikisht asnjë incident.
Përkundrazi, me deklaratat e tyre nxitëse ndaj popullit serb nxisin dhunën, duke shpresuar të nxisin reagimin e tepruar të serbëve, por një plan i tillë nuk do të ketë sukses.
Kjo komunikatë e kësaj zyre është publikuar edhe në disa media në gjuhën serbe nga Serbia e Kosova. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Zyra për Kosovën është bazuar në fotografinë e një tabele me mbishkrimin e fshatit Batushë, së cilës i është mbuluar me ngjyrë të kaltër emri dhe mbi të është shkruar mbishkrimi UÇK, duke shtuar se ky veprim shkaktoi shqetësim të madh tek serbët. Edhe pse nuk dihet se nga kush dhe kur është bërë ky veprim, siç e thekson edhe vet kryetari i fshatit, Marko Arsiq, në një deklaratë për RTV KiM: “Nuk e di si ka ndodhur, askush nuk e di, zgjidhja e vetme është t’i kthejmë kamerat nga Lepina, të shohim se kush po kalonte në atë moment”. (shih këtu)
Duke u bazuar vetëm në këtë fotografi, kjo zyre ka ngritur pretendimin se këto veprime po bëhen në mënyrë të organizuar nga ana e shqiptarëve më qëllimin, siç e thekson zyra, kërcënimin me dëbim nga shtëpitë e tyre të serbëve në jug të Ibrit, një pretendim ky i njëanshëm nga pala serbe.
Analiza:
Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka publikuar një fotografi ku shihet mbishkrimi UÇK i shkruar në tabelën emërtuese të fshatit Batushë, afër Graçanicës, e cila është mbuluar me ngjyrë të kaltër.
Duke u bazuar vetëm në fotografinë ku shihet mbishkrimi UÇK, duke mos dhënë detaje përcjellëse si “kur dhe nga kush u bë?”, kjo zyre ka krijuar një interpretim të pabazuar se kjo po bëhet në mënyrë të organizuar për kërcënimin e serbëve me dëbim nga shtëpitë e tyre.
Hibrid.info ka verifikuar faktet në këtë artikull, dhe në bazë të metodologjisë së punës e ka vlerësuar si “interpretim i njëanshëm”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Raportim i njëanshëm” merr ai raport mediatik i cili vërehet qartë se bënë favorizim të fakteve, qëndrime dhe përfundime që përputhen me një narrativë të veçantë, shpesh duke mos respektuar rregullin e kontaktit me palën tjetër kur bëhet fjalë për pretendime që janë të dëmshme për reputacionin e dikujt ose të portretizuar nga akterë të caktuar me një qasje negative. Një nga format e raportimit të njëanshëm është paraqitja selektive e fakteve, ku theksohen fakte që mbështesin një tezë të caktuar, ndërsa faktet që nuk e konfirmojnë atë janë lënë pas dore.