info@hibrid.info
Pretendimi i rremë se Ekrem Hyseni është shprehur pro shkëmbimit të territoreve, si zgjidhje e vetme për problemin e veriut të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një video-material shkëputur nga një intervistë e Ekrem Hyseni, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dega Podujevë, me mbishkrimin që pretendon se i njëjti është shprehur pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është në favor që veriu i vendit t’i jipet Serbisë, si zgjidhje e vetme.

Kjo përmbajtje është publikuar dje (17 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “llapinews”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info nuk ka gjetur ndonjë burim kredibil që konfirmon se Hyseni është shprehur ndonjëherë në favor të shkëmbimit të territoreve.


Hibrid.info ka kontrolluar video-materialin në fjalë, ku është vërtetuar se kandidati i LDK-së për deputet, nuk shpreh qëndrime në favor të asaj që pretendohet.

Citati i transkriptuar i Ekrem Hysenit nga video-materiali i trajtuar:

“Propagandën nuk e bëjmë ne nuk e bëni edhe ju, por e bën partia në pushtet. Mendoj se është një situatë e brishtë në veri, ka nevojë që ky proces dhe ky problem të zgjidhet jo vetëm me polici por të zgjidhet edhe me partnerët ndërkombëtarë, me një zgjidhje të qëndrueshme, e cila vërtetë i kish dhanë stabilitet Kosovës por edhe rajonit dhe e kishte ulur ndikimin edhe të jashtëm më Kosovë, në mënyrë të veçantë dhe specifike në veri”.

Hibrid.info ka gjetur video-materialin e intervistës së plotë të Hysenit, të publikuar në kanalin e televizionit “TËVË1” në Youtube.

Pas kontrollit edhe të video-materialit të plotë, është vërtetuar se zyrtari i LDK-së, nuk ka shprehur qëndrimin e pretenduar.

Nga vegëza e videos prej minutës 15:10, mund ta shihni përgjigjen e plotë, ku konfirmohet qëndrimi real i Hysenit për veriun, nër shpërputhje të plotë me pretendimin e mësipërm.

Për të konfirmuar edhe më shumë vërtetësinë e këtij pretendimi, hibrid.info ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit, “Google”, për qëndrimet dhe deklaratat e ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Podujevës për situatën në veri.

Por, rezultatet e kërkimit nuk kanë gjetur asnjë burim kredibil që vërteton se pretendimi i trajtuar, është i saktë.


Analiza:

Pretendimi se Ekrem Hyseni, kandidat i LDK-së për deputet është shprehur pro shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i pasaktë.

Hibrid.info ka gjetur se Hyseni në paraqitjet publike, nuk ka dhënë deklarata, ku provohet se ai mbështet këtë ide, qoftë në formë direkte apo indirekte

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »