Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një postimi në Telegram pretendohet se autorët e plaçkitjes së një kishe në Cërnicë të Gjilanit janë shqiptarë, të cilët kanë marrë gjësende me vlerë rreth 900 euro.
Ky pretendim u publikua në median sociale Telegram nga kanali në gjuhën serbe “БУНКЕР” (BUNKER) me datë 21 shkurt.
Çka dihet deri tani lidhur me këtë ngjarje?
Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, u vërtetua se ende nuk dihen kryerësit e kësaj vepre.

Hibrid.info ka gjetur se mediumi i parë që ka raportuar për këtë ngjarje është ai në gjuhën serbe “rtvpuls.com”. Në raportimin e këtij mediumi, nuk përmendet etnia e kryerësve të kësaj vepre.
Mediumi tjetër në gjuhën serbe Kossev.info, ka kontaktuar Policinë e Kosovës të rajonit të Gjilanit për më shumë detaje rreth këtij rasti.
“Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ka dalë për të kryer hetime në vendngjarje dhe prokurori publik ka urdhëruar hapjen e rastit për vjedhje të rëndë”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani në një bisedë telefonike për Kossev.
Kanali në gjuhën serbe në Telegram “БУНКЕР” (BUNKER) pretendoi i pari dhe pa asnjë fakt se ishin shqiptarët ata që plaçkitën kishën në Cërnicë. Më pas, pretendimi i njëjtë u shpërnda në Facebook nga faqja në gjuhën serbe “Kosovo i Metohija Independent site” dhe në X nga llogaria “@KosovoJeSrbija0”, po ashtu në gjuhën serbe.
Analiza:
Në mediat sociale si Telegram, Facebook dhe X u shpërnda një postim me pretendimin se shqiptarët kanë plaçkitur kishën në Cernicë të Gjilanit.
Mirëpo, nga Policia e Kosovës, e kontaktuar nga mediumi në gjuhën serbe Kossev.info, kanë thënë se janë njoftuar për këtë rast dhe se prokurori ka urdhëruar hapjen e rastit për vjedhje të rëndë.
Pra, ende nuk dihet se kush janë kryerësit e kësaj vepre apo se cilës etni i takojnë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson pretendimet e bëra në mediat sociale si “Teori konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.