Shkroi: Fatbardh Dema
Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar se votat e diasporës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë numëruar dhe se me to Lëvizja Vetëvendosje i ka marrë 40 për qind.
Pretendimi u publikua nga llogaria “Fitim ÇeKu” në Facebook më 12 shkurt.
E vërteta?
Hibrid.info u ka bërë verifikim fakteve për këtë çështje. Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 13 shkurt kanë bërë të ditur se do të duhen rreth 10 ditë për t’i vlerësuar pakot me fletëvotime nga diaspora.
Po ashtu llogaria ka pretenduar se zgjedhjet pritet të certifikohen të hënën tjetër (17 shkurt) e se rezultatet përfundimtare do të dihen brenda dy ditësh nga publikimi i tij.
Çka pretendoi kjo llogari:
“Me votat e diasporës, Vetëvendosje mori 40% ose 46 deputetë.
Zgjedhjet pritet të certifikohen të hënën tjetër. Rezultatet përfundimtare nesër ose pasnesër.
Urime zgjedhjet!”
Megjithatë, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se procesi i vlerësimit të votave të diasporës do të zgjasë rreth 10 ditë. Pra, nuk dihen rezultatet, siç pretendohet. Në mbledhjen e KQZ-së të enjten (13 shkurt), Buzhala ka thënë se “nga data 9 shkurt deri sot (13 shkurt) në orën 12 janë vlerësuar gjithsej 8776 zarfe” dhe se “prej tyre 8247 zarfe me fletëvotime janë aprovuar e 529 zarfe me fletëvotime janë refuzuar”. Ai ka vlerësuar se do të duhen rreth 10 ditë vetëm për procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga diaspora.
“Çështja e vlerësimit të pakove me fletëvotime realizohet përmes programit, por është edhe pak punë mekanike që duhet me u hapë zarfi e me u mbyll. Sipas vlerësimit të Sekretariatit, diku 10 ditë do t’i marrë vlerësimi i rreth 68 mijë zarfeve me fletëvotime që i kemi pranuar nga kutitë postare të KQZ-së. Kështu që Sekretariati është duke punuar me dy ndërrime dhe sipas vlerësimit tonë do t’i marrë diku 10 ditë veç procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime”, ka thënë Buzhala. (Shih videon e plotë)
Nga diaspora në kutitë postare të KQZ-së janë pranuar mbi 68 mijë pako me fletëvotime. Ndërsa më shumë se 15 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike. (Shih këtu)
Se procesi i numërimit të përgjithshëm do të marrë kohë edhe disa ditë, e ka konfirmuar edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Ai ka thënë se kjo periudhë sillet prej 10 ditë deri në dy javë. (Shih këtu)
Që në orët e para të publikimit të rezultateve online, KQZ-ja ka pasur telashe me sistemin. Autoritetet kanë kërkuar fillimisht që të dhënat aty të mos merren parasysh deri në rregullimin e softuerit. Pas kësaj, ka pasur vonesa edhe në nisjen e procesit të numërimit të votave për kandidatë për deputetë. (shih këtu)
Ndërkaq të premten (14 shkurt), KQZ-ja ka njoftuar se procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë ka nisur edhe në Qendrat Komunale në Istog dhe Rahovec, duke e çuar numrin e komunave në të cilat ka nisur ky proces i numërimit në 28. Pra kanë mbetur edhe 10 komuna për të nisur procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë. (Shih këtu)
E po të premten, KQZ-ja ka bërë të ditur se nga procesi i deritashëm nëpër Qendra Komunale të Numërimit janë numëruar 386 vendvotime. Gjithsej janë 2533 vendvotime (Shih këtu).
Çka nënkupton certifikimi i rezultateve?
Bazuar në nenin 106 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja i certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-së lidhur me to, të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës. (Shih këtu)
Të gjitha këto përjashtojnë pretendimin e llogarisë “Fitim ÇeKu” në Facebook për përqindjet në votat e diasporës si dhe mundësinë që rezultatet të certifikohen ditën e hënë (17 shkurt).
Nga procedimi i 99.72 për qind të vendvotimeve, në uebfaqen e KQZ-së subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.84% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05%. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.67% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma socialdemokrate, Konservatorët dhe Intelektualët është në vend të katërt me 7.45% të votave. Bazuar në këto përqindje të votave, pa u përfshirë ato të diasporës, VV-ja i ka 47 ulëse në Kuvend, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8.
Analiza:
Llogaria në Facebook “Fitim ÇeKu” ka pretenduar për rezultate të votave nga diaspora për zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt. Po ashtu ka pretenduar në publikimin e së mërkurës (12 shkurt) se rezultatet përfundimtare do të dihen të enjten (dje) ose të premten (sot).
Megjithatë, nga autoritetit kompetent (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve) është thënë se procesi i vlerësimit të pakove nga diaspora do të marrë kohë deri në 10 ditë. Po ashtu, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se për t’u përmbyllur i tërë numërimi, duhen 10 ditë deri në dy javë.
E sipas ligjit, certifikimi i rezultateve mund të bëhet vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave të numërimit dhe vendimeve ndaj ankesave të mundshme.
Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Dezinformata
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.