Shkroi: Etrit Rexhepi
Publikohet një imazh ku shihet Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, me një mbishkrim që pretendon se ai është shpallur i pafajshëm nga Gjykata në Hagë, ku po mbahet si i akuzuar për krime lufte, dhe se do të lirohet më 16 shkurt.
Kjo përmbajtje është publikuar dje (14 shkurt) në TikTok nga një llogari me emrin “republikaekosoves1”.
Cili është problemi me përmbajtjen?
Hibrid.info ka gjetur se Gjykata Speciale ende nuk ka marrë asnjë vendim për ish-kryeparlamentarin Veseli.

Ky postim deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 260 mijë shikime dhe ka grumbulluar më shumë se 9 mijë pëlqime dhe 590 komente.
Hibrid.info ka hulumtuar ueb-faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit tё Specializuar të Kosovёs, në seksionin “Lajme/Media”, ku nga njoftimet e publikuara nga ky institucion, nuk është gjetur asnjë njoftim që tregon se është marrë një vendim përfundimtar në procesin gjyqësor të Veselit dhe të akuzuarve tjerë.
Në po këtë ueb-faqe, në vegëzën për rastin “Thaçin dhe të tjerët” mund të shihet se ky rast është ende në fazë të gjykimit.
Gjithashtu edhe në vegëzën për informatat aktuale të procesit, në ueb-faqe publikohen vazhdimisht informacione për rrjedhën e gjykimit mund të kuptohet se procesi ende po vazhdon.
Gjetjet tregojnë se në konferencën përgatitore të Prokurorit të Specializuar – 15 shkurt 2023, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith kishte deklaruar se trupi gjykues ka përcaktuar datën e mbylljes së çështjes së prokurorisë me 1 prill 2025.
Përndryshe, nuk është hera e parë që hibrid.info ka trajtuar publikime me pretendime për verdiktin e të akuzuarve në Hagë (shih këtu).
Për çfarë akuzohen Thaçi e Veseli në Hagë?
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara janë krijuar si institucione të përkohshme për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e rënda që lidhen me konfliktin në Kosovë, duke përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të ndodhura ndërmjet viteve 1998 dhe 2000. Ato funksionojnë si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por selia e tyre është vendosur në Hagë, Holandë, për të siguruar një proces të pavarur dhe të paanshëm.
Sipas këtij institucioni, pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi si anëtarë të UÇK-së kryen krime kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Analiza:
Pretendimet për shpalljen si të pafajshëm të kryeparlamentarit Veseli dhe lirimin e tij më 16 shkurt nga Gjykata Speciale e Hagës, nuk qëndrojnë.
Procesi ndaj tij po vijon dhe gjykata ende nuk ka marrë një vendim për rastin e tij.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.