Shkroi: Fatbardh Dema
Një video-material që shfaq disa persona pranë kompjuterëve të lidhur me shumë telefona, u publikua nga faqja me përmbajtje në gjuhën shqipe “Audionur” në Facebook.
Kjo faqe, kësaj përmbajtje i ka vënë mbishkrimin “Ja qysh funksionon “Grupi i Kryqit Deqanit” – Pse ka shume komente dhe fyerje ne videot e hoxhallareve?! Kjo eshte Metoda si funskionojn ata Robota te Pashpirt!”
Çka gjeti hibrid.info lidhur me këtë video?
Pas hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se ky video-material qarkullon në internet që nga data 29 qershor dhe se bazuar në përshkrimin e saj, thuhet se paraqet një grup kinezësh duke manipuluar me vota në internet.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqja “Audionur”:
https://www.facebook.com/studioaudionur/videos/1400623227283855/?rdid=RKtf5MjXcjhuZmYT

Pas hulumtimit të kryer përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin e publikuar në platformën amerikane “Imgur.com”. (shih këtu)
Përshkrimi i video-materialit, i përkthyer në shqip:
Një fermë klikimesh kineze ku manipulimi i votave ndodh nëpër internet.
Duke u bazuar në të dhënat e makinës së kërkimit “TinEye.com”, kjo video qarkullon në internet që nga data 29 qershor 2024. (shih këtu)
Kontekst
Pretendimi i bërë nga llogaria “Audionur”, duke iu referuar, siç thuhet funksionimit të “Grupit i Kryqit të Deqanit”, ka të bëjë me “Lëvizjën për braktisjen vullnetare të fesë islame”.
Njoftimi për krijimin e kësaj “lëvizje” u bë me datë 21 tetor 2023, nga gazetari Zeqir Mehmetaj në llogarinë e tij në Facebook. (shih këtu)
Analiza:
Përmes një video-materiali në të cilën paraqiten disa persona pranë disa kompjuterëve, të cilët janë të lidhur me një numër të madh telefonash, u pretendua se kështu funksionon “Grupi i Kryqit Deçanit”, të cilët bëjnë komente fyese në videot e hoxhallarëve.
Hibrid.info gjeti se personat në video janë kinezë dhe në mbishkrimin e përmbajtjes thuhet se ata bëjnë manipulim të votave në internet.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.