info@hibrid.info
Publikohet sondazh i rremë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në TikTok janë publikuar shifra që pretendohet të jenë nga një sondazh për zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Publikimi është bërë nga llogaria me emrin “albinkurti_kryeminister” më 8 qershor.

Çka nuk shkon me këtë publikim?

Pas verifikimit nga hibrid.info nëpërmjet makinave online të kërkimit rezulton se për shifrat e publikuara në fotografinë e postuar nuk ka pasur ndonjë raportim kohëve të fundit (shih këtu). Po ashtu, publikimi përdor një fotografi të “telegrafi.com” të një artikulli të para dy muajve dhe mbi të janë vendosur shifrat (shih këtu).

Në publikimin e kësaj llogarie në TikTok pretendohen këto rezultate në garën për kryeministër: Albin Kurti (VV) 54%, Bedri Hamza (PDK) 23%, Lumir Abdixhiku (LDK) 19% dhe Ramush Haradinaj (AAK) 4%.


Vegëza e publikimit të llogarisë “albinkurti_kryeminister” në TikTok:

https://perma.cc/3FJB-SRVJ

Publikimi deri tash ka marrë mbi 65 mijë shikime, mbi 1400 pëlqime dhe më shumë se 470 komente. (shih këtu)


Sondazhi i fundit i kryer për zgjedhjet në Kosovë, ishte publikuar në prill. Reporteri.net pati publikuar të dhëna që kishte raportuar se i ka siguruar nga një sondazh i “UBO Consulting”. Shifrat ishin ndryshe nga ato për të cilat pretendohet në postimin e llogarisë “albinkurti_kryeminster” në TikTok. Sipas publikimit të 5 prillit, Lëvizja Vetëvendosje printe me 49.5%, Partia Demokratike e Kosovës kishte 17.1%, Lidhja Demokratike e Kosovës 16% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.9%.


Çka do të thotë sondazh?

Sondazhi është hetim paraprak për të njohur një gjendje, mendimet a qëndrimet për diçka të caktuar. Në këtë metodë statistikore nxirren rezultate bazuar në studimin e një pjese të popullatës, që quhet mostër.

Te sondazhi i UBO Consulting kanë qenë 907 respondentë dhe margjina e gabimit ishte plus-minus 3%, sipas publikimit të “Reporterit”. E në publikimin e fundit në TikTok, s’ka asnjë detaj të tillë.


Analiza:

Llogaria “albinkurti_kryeminister” ka publikuar një fotografi në TikTok për të cilën ka pretenduar se janë shifrat nga një sondazh i fundit për garën për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë.

Pas verifikimit nga hibrid.info, del se për këto shifra s’ka pasur raportim kohëve të fundit dhe se fotografia e publikuar në prapavijë është marrë nga një publikim i mëhershëm prej “telegrafi.com”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »