Një video e dyshimtë është publikuar në platforma online, ku shihen imazhe të një operacioni ushtarak, saktësisht hedhja e parashutistëve, duke pretenduar ta paraqesin si pjesë të pushtimit të fundit të Ukrainës nga forcat ushtarake ruse.
Shumica e kanaleve dhe profileve në këto platforma (YouTube, Facebook, Twitter), e kanë titulluar këtë video material si pushtim të qytetit veri-lindor të Ukrainës – Kharkov.
Mirëpo, pas hulumtimit të bërë, hibrid.info ka vërtetuar se këto imazhe nuk paraqesin një operacion ushtarak të forcave ruse gjatë pushtimit të Ukrainës. Në fakt, bëhet fjalë për një ushtrim ushtarak rus të kryer në vitin 2018.
Vegëzat e videos së publikuar nga përdorues të platformave online këtu, këtu, këtu dhe këtu.
Gjatë gjurmimit në platformat digjitale, hibrid.info ka parë se video me imazhe të njëjta dhe të ngjashme, paraqesin një ushtrim të ushtrisë ruse (Vostok 2018) që nuk është bërë në kohën aktuale.
Në përshrkimin e një video të ngjashme shkruan se imazhet janë nga një ushtrim i bërë në dhjetor të vitit 2018 (këtu). Ndërsa në tjetrën paraqitet datë tjetër (shtator) por e të njëjtin vit (shih videon këtu nga minuta 2:23).
Analiza:
Pretendimet e bëra në video se gjoja imazhet tregojnë një sulm të paratrupave ruse, rezulton të jetë i pavërtetë.
Bazuar në këtë, hibrid.info e vlerëson këtë si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.