Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar një komunikatë lidhur me grabitjen e tri kishave Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar një komunikatë lidhur me grabitjen e tri kishave ortodokse në rrethinën e Zubin Potokut gjatë këtij viti, e që sipas tyre, përgjegjës për këtë është një person i komunitetit shqiptar.
Këto grabitje të kishave ortodokse serbe, kjo zyrë është munduar që t’i paraqesë pa fakte si, siç thuhet në komunikatë, pjesë e mesazhe politike të Prishtinës zyrtare ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Pjesë nga komunikata e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e përkthyer në gjuhën shqipe:
Nga faltoret e Kishës Ortodokse Serbe u morën jo vetëm para dhe sende të tjera me vlerë, por gjatë kontrollit u shpërndanë edhe relike të kishës.
Në Zubin Potok është arrestuar një shqiptar i dyshuar për këtë seri sulmesh në tempujt e KOS-it.
Ky qëndrim i pjesëtarëve të komunitetit shqiptar ndaj objekteve fetare të Kishës Ortodokse Serbe është pasqyrë e rrethanave politike dhe mesazheve të dërguara çdo ditë nga liderët politikë nga Prishtina, si dhe një konfirmim i ri i kërcënimit ndaj faltoreve ortodokse në Kosovë dhe Metohi.
Është më se e qartë se kur në Prishtinë nuk ka përkushtim të qartë politik për respektimin dhe kultivimin e diversitetit dhe tolerancës fetare, atëherë në terren jemi dëshmitarë të të gjitha llojeve të sulmeve ndaj kishave ortodokse.
Vegëza e komunikatës së lëshuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:
http://www.kim.gov.rs/v4641.php
Këtë komunikatë të kësaj zyre e kanë publikuar edhe disa media serbe si “Novosti.rs”, “Politika.rs” dhe “Jedinstvo.rs”. (shih këtu, këtu dhe këtu)
Edhe më parë, institucione shtetërore e fetare serbe, kishin publikuar komunikata të ngjashme, përmes së cilave kanë pretenduar që incidentet në objektet fetare (kisha e manastire) t’i paraqesin si veprime me karakter ndëretnik e ndërfetar.
Përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), më 11 maj të vitit 2021, kishin publikuar një njoftim, përmes së cilit kishin pretenduar pa fakte se disa grabitje në disa objekte fetare ortodokse në Kosovë, kanë prapavijë etnike e fetare, duke aluduar këtu për komunitetin serb në Kosovë. Hibrid.info e ka trajtuar këtë rast. (shih këtu)
Gjithashtu, me datë 27 dhjetor 2021 drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte pretenduar me anë të një fotografie të varrezave serbe në fshatin Kishnicë të Graçanicës, të cilat janë raportuar se janë dëmtuar, duke e vlerësuar si incident ndërentik, duke mos u bazuar në asnjë fakt.
Edhe atëkohë Hibrid.info e kishte verifikuar këtë artikull, duke e vlerësuar si “Dezinformatë”. (shih këtu)
Analiza:
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka lëshuar një komunikatë lidhur me grabitjen e tri kishave ortodokse në rrethinën e Zubin Potokut gjatë këtij viti, e që sipas tyre, përgjegjës për këtë është një person i komunitetit shqiptar.
Por, këto grabitje të kishave ortodokse serbe, kjo zyrë i ndërlidhë pa fakte si rezultat i represionit të komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se “kjo është pasqyrë e rrethanave politike dhe mesazheve të dërguara çdo ditë nga liderët politikë nga Prishtina, si dhe një konfirmim i ri i kërcënimit ndaj faltoreve ortodokse në Kosovë dhe Metohi”.
Të gjitha këto pretendime kjo zyrë i bënë duke mos i mbështetur në asnjë fakt. Për këtë arsye, hibrid.info e vlerëson këtë komunikatë si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.