Përgatiti: Festim Rizanaj
Gjatë monitorimit të mediave dhe rrjeteve sociale gjatë javës së kaluar, dezinformatat kanë qenë kategoria dominuese e keqinformimit.
Dezinformatat janë publikuar në Facebook, X dhe portale në gjuhën serbe. Në Facebook, në faqen “75% për Albinin”, është publikuar një imazh me një deklaratë të rreme të atribuuar Lumir Abdixhikut, duke pretenduar se LDK-së i takojnë tri poste udhëheqëse, gjë që është mohuar nga verifikimet e Hibrid.info. Një tjetër dezinformatë është shpërndarë në X, ku pretendohej se një avion cargo në Aeroportin “Adem Jashari” ka sjellë raketa “Javelin” për FSK-në, por verifikimet treguan se videoja origjinale nuk përmbante një pretendim të tillë. Po ashtu, në Facebook, faqja “Kosova Report” ka publikuar një pretendim se Kosova do të pajiset me dhjetë helikopterë “Black Hawk” këtë vit, ndërkohë që lajmi për blerjen e helikopterëve është i saktë, por numri i tyre mbetet i paspecifikuar. Ndërkohë, mediumi serb “telegraf.rs” ka lidhur gabimisht një baner të “Tifozëve Kuq e Zi” me trazirat e marsit 2004, kur në fakt ai kishte të bënte me akuzat ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.
Një mesazh mashtrues që pretendon kufizimin e llogarisë në Facebook është shpërndarë në aplikacionin “Messenger”, duke përfshirë një vegëz potencialisht të rrezikshme që nuk vjen nga Facebook.
Manipulim i faktit është vlerësuar një video e publikuar më 18 mars në Instagram nga llogaria “rrezedielli03” që manipulon faktet duke pretenduar se kryeministri Albin Kurti ishte për ngushëllime në familjen e Hashim Thaçit, ndërsa në realitet videoja ishte nga një vizitë në familjen Thaqi në Kamenicë pas një aksidenti tragjik.
Clickbait është vlerësuar një artikull për një tërmet, i publikuar më 20 mars nga portalet e dyshimta “versus.al”, “miimall.com” dhe “zilsesleri.net”, është shpërndarë në Facebook me tituj që nuk specifikonin vendndodhjen, duke krijuar konfuzion tek lexuesit.
Lajm i rremë u vlerësua një video e publikuar më 20 mars në TikTok nga llogaria “focusprishtina” që pretendon rrejshëm se autobusi i kombëtares së Islandës është dëmtuar nga tifozë në Prishtinë, por nuk ka asnjë raportim të konfirmuar që mbështet këtë pretendim.
Përmbajtja e paverifikuar se tifozët anglezë brohoritën “Kosova është Serbi” gjatë ndeshjes Angli – Shqipëri më 21 mars u publikua fillimisht në X nga llogaria “FantomBeograda” dhe më pas u shpërnda nga mediumet serbe “Telegraf.rs”, “B92.net” dhe “Republika.rs”. Por verifikimet tregojnë se në video dëgjohen vetëm tifozët shqiptarë duke brohoritur “Shqipëria kampion”.
Mashtrim
Një mesazh paralajmërues me pretendimin për kufizim të llogarisë në Facebook. Mesazhi me këtë përmbajtje në gjuhën shqipe u ka ardhur qytetarëve në aplikacionin, “Messenger”. Mesazhi përmban vegëz, e cila mund të jetë mashtrim dhe se nuk vjen nga Facebook. (këtu)
Dezinformatë
Është publikuar një imazh që shfaq Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar, “Jemi partia e tretë në vend dhe rrjedhimisht na takojnë 3 postet udhëheqëse: presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri”. Kjo përmbajtje është gjetur e publikuar (16 mars) në Facebook, në një faqe me emrin “75% për Albinin”. Hibrid.info ka gjetur se Abdixhiku nuk ka deklaruar ashtu siç është pretenduar. Abdixhiku e ka kushtëzuar bashkëpunimin me partitë tjera opozitare vetëm me postin e kryeministrit. (këtu)
Një video e publikuar në X pretendon se një avion cargo në Aeroportin “Adem Jashari” ka sjellë raketa “Javelin” për FSK-në. Pas verifikimit, hibrid.info gjeti videon autentike të publikuar më parë në YouTube, pa asnjë pretendim të tillë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se FSK do të pajiset me “Javelin” sipas planit të furnizimit, por hibrid.info ka vërtetuar se nuk ka prova që kjo ngarkesë ka mbërritur me avionin e filmuar. (këtu)
Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Kosova do të pajiset me dhjetë helikopterë “Black Hawk” këtë vit, ashtu si dhe me një pjesë të anti-tankeve “Javelin”. Ky postim me këtë pretendim është publikuar më 13 mars në Facebook nga një faqe me emrin “Kosova Report”. Hibrid.info gjeti se lajmi për blerjen e helikopterëve është i vërtetë, por nuk dihet numri i tyre. (këtu)
Nëpërmjet një artikulli, mediumi në gjuhën serbe “telegraf.rs” ka pretenduar se baneri “21 vite prezent nuk na largoni dot” i shpalosur nga “Tifozat Kuq e Zi” në ndeshjen e futbollit Angli – Shqipëri të premten, ka të bëjë me trazirat e marsit më 2004 në Kosovë. Megjithatë, tifozët shqiptarë kishin lajmëruar paraprakisht për banerin, i cili lidhej me akuzat e tyre ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe jo me ngjarjet e marsit 2004. (këtu)
Manipulim i fakteve
Publikohet një video-material ku shihet Albin Kurti, kryeministri i Kosovës duke dalë nga një ambient shtëpiak me mbishkrimin që pretendon se ai ishte për ngushëllime në familjen e Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, pas vdekjes së babit të tij, Haxhi Thaçit. Videoja me këtë pretendim është publikuar (18 mars) në Instagram, nga një llogari me emrin “rrezedielli03”. Por, hibrid.info ka gjetur se kjo video është shkëputur nga vizita që Kurti i bëri familjes Thaqi nga komuna e Kamenicës, pas humbjes së vajzës së tyre në një aksident komunikacioni. (këtu)
Clickbait
Është publikuar një artikull që ka raportuar për një tërmet. Artikulli i publikuar (20 mars) nga portalet e dyshimta, “versus.al” dhe “miimall.com” është shpërndarë në disa faqe në Facebook, ndërsa artikulli i publikuar nga portali tjetër i dyshimtë, “zilsesleri.net” është postuar si koment i bashkangjitur imazheve, ku raportohej ngjarja. Hibrid.info gjeti se në tituj të raportimeve nuk është bërë e qartë ku ka ndodhur ngjarja. (këtu)
Lajm i rremë
Publikohet një video-material me pamje të një rruge që çon në drejtim të stadiumit, Fadil Vokrri, në Prishtinë, me pretendimin se është dëmtuar autobusi i kombëtares së Islandës nga disa tifozë shtetas të Kosovës. Kjo përmbajtje është publikuar (20 mars) në TikTok nga një llogari me emrin, “focusprishtina”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka raportime qoftë të bazuara apo edhe të pakonfirmuara të cilat do ta mbështesnin pretendimin në fjalë. (këtu)
Përmbajtje e paverifikuar
U pretendua se mbrëmë (21 mars) gjatë ndeshjes Angli – Shqipëri, e vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit 2026, tifozët anglezë kanë brohoritur “Kosova është Serbi”. Ky pretendim fillimisht u publikua në X (ish-Twitter) nga llogaria “FantomBeograda”. Ndërsa më pas u publikua si artikull nga mediumet online në gjuhën serbe “Telegraf.rs”, “B92.net” dhe “Republika.rs”.Pas verifikimit nga hibrid.info, në videon e shpërndarë dëgjohen tifozët shqiptarë duke brohoritur “Shqipëria kampion”, jo tifozët anglezë. Kërkimet në Google dhe mediat në shqip nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që mbështet këtë pretendim. (këtu)