[email protected]
Rishikimi i javës: Lajm i rremë se çmimi i bukës do të jetë 25 cent nga 1 qershori, mashtrim se Biden ka folur për konflikt në Ballkan, dezinformatë se Policia e Kosovës u pajis me armë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, dezinformatat janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Pothuajse të gjitha dezinformatat janë publikuar në media sociale. Në Facebook u publikua pretendimi se në një autostradë në Kosovë gjendet shenja e komunikacionit që lejon vozitjen pa limit shpejtësie. Në TikTok u publikua si aktuale pamja e vjetër e Flamurit Kombëtar shqiptar të vendosur mbi një kodër në qytetin e Zveçanit; si dhe pretendimi i rremë se në Kosovë sapo kanë arritur 5000 armë të gjata për njësinë speciale të Policisë së Kosovës. Në portal informativ është publikuar një artikull, në titullin e të cilit pretendohet se gazetari Milaim Zeka e ka vlerësuar një politikane si, ‘Spiune e Kosovës te Vuçiç’.

Gabim është raportuar për vërshime në Prishtinë me fotografi ilustruese nga qyteti i Shkodrës.

Përmbajtje mashtruese janë publikuar në media sociale ku nëpërmjet një postimi në Facebook është inskenuar sërish lojë shpërblyese me pretendimin se këngëtarja shqiptare, Leonora Jakupi, do të shpërblejë 400 persona që komentojnë në një video; në TikTok u publikua një video-material (deepfake) që shfaq presidentin e SHBA-ve duke folur lidhur me mundësinë e konfliktit në Ballkan dhe ndërhyrjen e SHBA-ve.

Përmbajtjet clickbait janë publikuar në portale informative, ku titujt nuk i korrespondojnë përmbajtjes, nuk bëhet e ditur se bëhet fjalë për opinion të analistëve e që paraqitet si lajm.

Përmbajtjet e paverifikuara janë publikuar nga faqe në media sociale dhe portale informative. U publikua pretendimi se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbetur i plagosur nga një mjet shpërthyes. Po ashtu është publikuar një skenë filmi me pretendimin se pamjet shfaqin pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni.

Teoria konspirative është publikuar nga mediumi në gjuhën serbe në Kosovë, “Kosovo-Online” i cili ka raportuar për një incident në një shkollë në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, me ç’rast ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë shqiptarë.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, ku pretendohet se çmimi i bukës në Kosovë do të bjerë në 25 centë nga data 1 qershor; se Turqia do t’i dhurojë Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhjetë helikopterë luftarakë “Apache”; se Kosova ka aktivizuar dronët e saj e se është gati për të intervenuar në Luginë të Preshevës.

Gabim

Është publikuar një artikull që ka raportuar për vërshime në Prishtinë. Lajmi është publikuar më 20 maj nga “albinfo.ch”, portal në gjuhën shqipe, që operon në Zvicër. Por, pas kontrollit nga hibrid.info, është gjetur se imazhi me anë të së cilit është paraqitur lajmi, nuk shfaq pamje nga Prishtina. Bazuar në rëndësinë që paraqet fotografia në tekstet e gazetarisë digjitale, hibrid.info vlerëson se në këtë rast, audienca mund ta marrë si të saktë fotografinë e paraqitur në këtë artikull. (këtu)

Mashtrim

Nëpërmjet një postimi në Facebook është inskenuar sërish lojë shpërblyese me pretendimin se këngëtarja shqiptare, Leonora Jakupi, do të shpërblejë 400 persona që komentojnë në një video. “Dhuratë për fansat❤️👋Përshëndetje!! ju bekoj te gjitheve!! 400 të parët që thonë (Përshëndetje), do t’ju jap 10,000 € ‘sot’”, thuhet në përshkrimin e videos më të gjatë se katër orë, e në të cilën pretendohet se artistja në një video-paraqitje të drejtpërdrejtë po paralajmëron shpërblimin. Hibrid.info veçse kishte verifikuar këtë video-material edhe në të kaluarën. Bëhet fjalë për përmbajtje që daton nga viti 2019 dhe që s’ka të bëjë me asnjë lojë shpërblyese. (këtu)

U publikua një video-material që shfaq presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, duke thënë se “Nëse Serbia nis agresionin kundër fqinjëve të saj, Kosovës ose Bosnjë e Hercegovinës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të hezitojnë të përdorin të gjithë forcën e nevojshme në përgjigje”. Ky video-material u publikua me datë 3 maj në median sociale TikTok nga llogaria “DardaniaTimes”. Pas verifikimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky video-material është e manipuluar (deepfake). Pra, një deklaratë e tillë nuk është bërë nga presidenti amerikan. (këtu)

Clickbait

“Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës” mban titullin një shkrim i publikuar të hënën (20 maj), i shoqëruar me imazhin e profesorit amerikan Daniel Serwer. Publikimi është bërë nga portali me përmbajtje në gjuhën shqipe “ntv.al”. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se as një gjë e tillë nuk qëndron as brenda artikullit në fjalë e se një deklaratë e tillë nuk është dhënë as nga Serwer. (këtu)

“Të verbuar nga lufta e brendshme, Perëndimi I zhgënjyer edhe nga opozita në Kosovë” mbanë titull një artikull i publikuar më 21 prill në portalin informativ “ntv.al”.  Artikulli është ilustruar me fotografi ku shihen tre liderët e partive opozitare në Kosovë, Ramush Haradinaj nga AAK, Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Memli Krasniqi nga PDK.  Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se artikulli i publikuar paraqet një opinion, por që një gjë e tillë nuk është bërë e qartë nga publikuesi. Titulli, fotografia e as përmbajtja, nuk e saktëson se artikulli paraqet një opinion, çka mund të nënkuptohet se artikulli përbën lajm. (këtu)

Është publikuar një artikull i titulluar, “Edi Rama mashtron: – Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën!”. Artikulli është publikuar në Facebook më 21 maj, nga “Bota Sot”, faqe e portalit “botasot.info”. Hibrid.info ka gjetur se artikulli i publikuar nga “botasot.info” paraqet një opinion ndonëse një gjë e tillë nuk bëhet e qartë në publikimin në faqen në Facebook të këtij portali. Po ashtu titulli i opinionit është paraqitur gabimisht si deklarim i kryeministrit Rama. (këtu)

Dezinformatë

Një video-material i publikuar në një faqe në Facebook me përbajtje shqip, po pretendon se në një autostradë në Kosovë gjendet shenja e komunikacionit që lejon vozitjen pa limit shpejtësie. Videoja u publikua në Facebook me datë 19 maj nga faqja që mban emrin “Gazetavip.com”. Hibrid.info, pas analizimit të këtij video-materiali, ka vërejtur se në pamje shfaqet një shenjë e komunikacionit, e cila tregon mbarimin e të gjitha ndalesave në rrugë. Mirëpo, sipas Ligjit të trafikut rrugor në Kosovë, shpejtësia më e madhe e lejuar jashtë zonës urbane në autoustradë është njëqind e tridhjetë (130) km/h. (këtu)

Një pamje e vjetër e Flamurit Kombëtar shqiptar të vendosur mbi një kodër në qytetin e Zveçanit, po paraqitet si aktuale. Video-materiali që shfaq Flamurin Kombëtar në kodrën e Zveçanit, u publikua 20 maj në TikTok nga llogaria që mban emrin “shqiponja.ksv”. Në pamjet që shfaqen në këtë video-material, paraqitet edhe logoja e portalit “jepize.com”. Ekipi i verifikuesve të fakteve në Hibrid.info ka bërë një hulumtim, ku është vërtetuar se video-materiali është i vjetër, më saktësisht i vitit 2023. (këtu)

Është publikuar një artikull, në titullin e të cilit pretendohet se gazetari Milaim Zeka e ka vlerësuar një politikane si, ‘Spiune e Kosovës te Vuçiç’. Artikulli është publikuar më 23 maj në portalin e televizionit “ntv.al”. Hibrid.info ka gjetur se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zeka, nuk ka e cilësuar asnjë politikan apo politikane, me epitetin që pretendohet. (këtu)

Nëpërmjet një video-materiali me fotografi është pretenduar se në Kosovë sapo kanë arritur 5000 armë të gjata për njësinë speciale të Policisë së Kosovës. Përmbajtja është publikuar të premten (24 maj) nga llogaria me emrin “informohusaktedhekorrekt” në TikTok. “Qeveria e Kosovës: Sapo kanë arritur 5000 armë të gjata për njësin speciale!” dhe “Policia si ne EU” janë përshkrimet që ka përdorur në materialin ku shihen fotografi të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, me armët e gjata. Pas verifikimit, del se fotografitë janë të publikuara më 12 janar nga ministri Sveçla në Facebook. (shih këtu). Sveçla në postimin e tij nuk pati dhënë shifra se me sa armë të gjata është furnizuar Policia e Kosovës. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes një video-materiali të shkurtër (18 sekonda) po pretendohet se pamjet janë realizuar në  aeroplanin Boeing 777-300ER i “Singapore Airlines”, i cili më 21 maj u godit nga turbulenca të forta, e që si pasojë ka humbur jetën një person dhe shumë të tjerë janë lënduar. Video-materiali u publikua nga një llogari në Facebook me emrin Urim Duka. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se videoja nuk i përket kësaj ngjarjeje dhe se e njëjta është realizuar në vitin 2019, gjatë një fluturimi nga Kosova për në Zvicër. (këtu)

Është publikuar një video-material me pamjet që shfaqin pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni. Në mbishkrimin e këtij video-materiali shkruan “Nje video po qarkullon ne Rrjetin social TikTok Ku shihet policia duke ndjekur nje Vetur Polici teper profesionale edhe vigjilent”. Video-materiali u publikua në Facebook me datë 23 maj nga faqja “Kosova Online 24/7”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pamjet nuk paraqesin ndonjë aksion real të Policisë së Kosovës, por se këto pamje janë realizuar gjatë xhirimit të serialit kosovar “Rrugët”. (këtu)

Pretendohet se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbetur i plagosur nga një mjet shpërthyes. Artikulli u publikua nga mediat online në gjuhën shqipe si “Indeksonline.net”, “Zeri.info” e “Insajderi.org”. Zëdhënësi i FSK-së, Vëllazërim Qerimi, për Klankosova.tv i ka mohuar raportimet ne media se i lënduar është pjesëtar i FSK-së. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi onlina serb në Kosovë, “Kosovo-Online” ka raportuar për një incident në një shkollë në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë, me ç’rast ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë shqiptarë. Ky medium, pretendimin se kryesit e veprës janë shqiptarë e ka bazuar në një deklaratë të drejtorit të kësaj shkolle, i cili ka deklaruar po ashtu se kanë pamje filmike të incidentit, të cilat nuk janë publikuar, por edhe se rasti është raportuar në polici. Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka pretenduar pa fakte se kryesit e kësaj vepre janë një grup shqiptarësh. Kjo zyrë po ashtu ka pretenduar se ekzistojnë edhe video incizime të kryerësve të veprës së pretenduar, por të cilat nuk i ka publikuar. (këtu)

Lajm i rremë

Faqja në Facebook me emrin “Publiku” ka publikuar një video nëpërmjet të cilës ka pretenduar se çmimi i bukës në Kosovë do të bjerë në 25 centë nga data 1 qershor. Pas kontrollit dhe verifikimit të fakteve, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar lidhur me këtë zbritje të pretenduar. (këtu)

Pretendohet se Turqia do t’i dhurojë Forcave të Sigurisë së Kosovës dhjetë helikopterë luftarakë “Apache”. Informata e pretenduar është publikuar me anë të një imazhi në TikTok nga llogaria “kosovounit”. Të njëjtin pretendim hibrid.info e ka trajtuar dhe ka verifikuar edhe më herët (shih këtu). Nga faktet e verifikuara, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në media kredibile që pretendon se Turqia i ka FSK-së, 10 helikopterë luftarak “Apache”. (këtu)

Është pretenduar nëpërmjet një videoje se Kosova ka aktivizuar dronët e saj e se është gati për të intervenuar në Luginë të Preshevës. Llogaria me emrin “Kingdom of Dardania” në TikTok ka publikuar më 21 prill një video në të cilën ka pretenduar se “Droni MQ-9 Reaper i Kosovës është gati për intervenim në Preshevë”. Pos këtij mbishkrimi në video, në përshkrim të përmbajtjes llogaria ka shkruar: “Derisa serbia ben stervitje ushtarake me dron kamikaz,Kosova behet e ditur qe ka aktivizuar te gjith dronet e saj”. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se videoja ka pamje të vjetra e që janë hasur në një video-material të publikuar nga “nbcnews.com” kur raportonte në mars të vitit 2023 se “Rusia ka mohuar që aeroplani i saj është përplasur me një dron amerikan mbi Detin e Zi”. (këtu)

Share With Others

Translate »