[email protected]
Rishikimi i javës: lajme të rreme në media sociale për armatosje të FSK-së, përmbajtje e paverifikuar dhe dezinformatë për zgjedhjen e një emisari special, manipulim i fakteve se BE-ja ka publikuar një raport për sulmin në Banjskë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, lajmet e rreme janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Lajmet e rreme u publikuan në media sociale, konkretisht në TikTok dhe Facebook. Këto lajme të rreme u publikuan me pretendimet për armatosjen e FSK-së, konkretisht pretendimet se Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje për fluturaken luftarake, “Kizilelma”; se “helikopterët luftarak turq “T129 ATAK” do të jenë në duart e kosovarëve; se automjete ushtarake i janë bërë dhuratë Kosovës nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Dezinformatat u publikuan në media sociale ku u pretendua se Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka aluduar se “ushtria e Kosovës do të forcohet deri në shtator me 10 mijë trupa e me sisteme anti-raketore”; se Kosova në vitin 2026 do të marrë dy helikopterë si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmbajtje e paverifikuar dhe dezinformatë është vlerësuar pretendimi se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka vendosur të caktojë një emisar special për çështjen e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse nga Bashkimit Evropian, i cili është publikuar në media reale.

Clickbait është vlerësuar titulli i emisionit “Info Magazine”, i televizionit Klan Kosova, “Kurti: Incizimet Kusari-Radojciq janë montazhë”.

Teori konspirative është vlerësuar pretendimi i mediumit rus, Sputnik, shërbimi në gjuhën serbe, ku pretendohet pa fakte se Qeveria në Prishtinë ka nisur fazën e fundit të mbylljes së gjithçkaje serbe në Kosovë.

Manipulim i fakteve është vlerësuar një përmbajtje e publikuar në media reale që pretendon se Bashkimi Evropian (BE) ka publikuar një raport për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, për të cilin përgjegjës e bën shtetin serb.

Përmbajtja e paverifikuar është publikuar në TikTok me pretendimin pa fakte se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar lidhur me deklaratat e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për Kosovën.

Mashtrim janë vlerësuar dy vegëzat të sponzorizuara e të publikuara në Facebook. Njëra kishte të bënte me pretendimin se të moshuarve do t’u ofrohen pagesa falas të kredive, ndërsa tjetra, me pretendimin se në Kosovë do të ofrohet një operacion pa pagesë me laser.

Dezinformatë

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar se Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka aluduar se “ushtria e Kosovës do të forcohet deri në shtator me 10 mijë trupa e me sisteme anti-raketore”. Pretendimi është publikuar në TikTok nga llogaria “der_albaner_mit_vollbart” më 22 prill. “Forcohet e ushtria e Kosovës eksperti: 10 mijë trupa deri në Shtator dhe sistem raketor” është mbishkrimi që kjo llogari i ka vënë bisedës që Shala ka pasur në mediumin  “A2CNN”. Pas verifikimit të materialit nga hibrid.info, del se Shala nuk ka folur për forcim të Ushtrisë së Kosovës, por për shtim të trupave të NATO-s e vendosje të sistemeve anti-raketore nga NATO-ja. (këtu)

U pretendua se Kosova në vitin 2026 do të marrë dy helikopterë si donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Materiali me këtë pretendim u publikua si video-material në TikTok nga llogaria “albinkurti_rks” me datë 2 qershor. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim është i pasaktë. Video-materiali përmban audion e televizionit “Teve1”, që përmban deklaratë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili kishte deklaruar se në vitin 2026 Forca e Sigurisë së Kosovës pritet të furnizohet me helikopterë. Por, në asnjë rast nuk është përmendur se Kosova do të marrë dy helikopterë si donacion nga SHBA-të. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një video-materiali po pretendohet se “helikopterët luftarak turq “T129 ATAK” këtë vit do të jenë në duart e kosovarëve”. Në përshkrimin e këtij video-materiali të publikuar në TikTok nga llogaria “teamkosovo2” shkruan “Lajmi eshte konfirmuar nga disa media turke”. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se diçka e tillë nuk është publikuar në asnjë medium turk, siç pretendohet. (këtu)

Po pretendohet se një urë e gjatë prej 73 kilometrash, që e lidhë Italinë me Shqipërinë, planifikohet të ndërtohet nga 2025 – 2035. Lajmi për projektin që pretendohet se do të kushtojë 10 miliardë euro, është publikuar (13 maj) në Facebook, me anë të një videoje, nga një faqe me emrin “Thënie të Mençura, thënie filozofike, psikologji, Këshilla etj.”. Por, pas kërkimit nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë projekt zyrtar të konfirmuar nga anjëra prej këtyre dy vendeve. (këtu)

Në rrjete sociale është publikuar një video-material me mbishkrimin që pretendon se kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshje për fluturaken luftarake, “Kizilelma”. Videoja është publikuar më 4 maj në TikTok nga llogaria me emrin “gladiatorkosova1”. Kryeministri Kurti nuk ka deklaruar se është arritur një marrëveshje e tillë. (këtu)

Përmes një videoje po pretendohet se automjetet ushtarake që shfaqen në video, i janë bërë dhuratë Kosovës nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pas takimit që ky i fundit pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Video-materiali u publikua me datë 2 qershor në TikTok nga llogaria me emër “mezatarum”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se video-materiali që shfaq automjetet ushtarake qarkullon në internet që nga data 17 maj dhe është publikuar nga një llogari në gjuhën arabe. Po ashtu në takimin e fundit ndërmjet Kurtit dhe Erdoganit të mbajtur me datë 31 maj në Turqi, nuk raportohet që Turqia t’i ketë dhuruar pajisje ushtarake Kosovës. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka vendosur të caktojë një emisar special për çështjen e njohjes së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse nga Bashkimit Evropian. “Kush është i besuari i Biden që do emërohet ‘emisar special për njohjen e Kosovës’”, mban titullin artikulli i publikuar nga mediumi në gjuhën shqipe “euronews.al”, e që është transmetuar edhe nga disa portale informative në Kosovë. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se Joe Biden nuk ka propozuar ndonjë emisar special për njohjen e Kosovës nga shtetet e BE-së. Bëhet fjalë vetëm për një propozim nga një grup ekspertësh, në një raport të publikuar në vitin 2022. (këtu)

Clickbait

“Kurti: Incizimet Kusari-Radojciq janë montazhë” mban titullin emisioni “Info Magazine” i televizionit Klan Kosova. Emisioni u publikua më 4 qershor në kanalin zyrtar në Youtube të televizionit Klan Kosova. Pas kontrollit të fakteve nga hibrid.info, u vërtetua se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i pyetur nga gazetarët për publikimin e një audio-incizimi të një telefonate nga mediumi online “Nacionale” ku pretendohet se është shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila duke biseduar me Milan Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor të sulmit në Banjskë, është shprehur se “ajo është një situatë e montuar”. Pra, Kurti nuk ka thënë se “incizimet janë montazhë”, siç pretendohet në titullin e emisionit “Info Magazine”, por se situata është e montuar. (këtu)

Teori konspirative

Edicioni në Serbi i medias ruse “Sputnik” (sputnikportal.rs), ka publikuar një artikull përmes të cilit pretendon se Qeveria në Prishtinë ka nisur fazën e fundit të mbylljes së gjithçkaje serbe në Kosovë. Pretendimin, “Sputnik” e bazon në disa deklarata të ish-kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovën, tash deputet, Millovan Drecun. Këto pretendime paraqiten pa fakte si pjesë të një plani të kryeministrit Albin Kurti për integrimin “me dhunë” të të gjitha institucioneve serbe në sistemin e Kosovës. (këtu)

Manipulim i fakteve

Është publikuar një përmbajtje që pretendon se Bashkimi Evropian (BE) ka publikuar një raport për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, për të cilin përgjegjës e bën shtetin serb. Pretendimi është publikuar me datë 3 qershor, nëpërmjet një video-materiali nga televizioni me përmbajtje në gjuhën shqipe, “A2 CNN”. Hibrid.info ka hulumtuar dhe ka vërtetuar se BE-ja ende nuk ka dalë me një raport zyrtar të hetimeve, së paku jo publik, rreth asaj që ndodhi në shtator të vitit të kaluar në Banjskë. (këtu)

Publikohet artikull i titulluar “Joe Biden tenton të ulet në karrigen imagjinare (Video)” me pretendimin se shfaq momentin kur presidenti amerikan, përkulet në përgatitje për t’u ulur në karrigë, ndonëse mbrapa nuk e kishte një të tillë. Përmbajtja është bërë publike më 7 qershor nga portali me përmbajtje në gjuhën shqipe, “kosovapost.net”, “gazetatema.net”, “syri.net” dhe “lapsi.al” Video-materiali i zgjeruar në fakt, tregon Bidenin teksa ulet në karrigen e pozicionuar. (këtu)

Mashtrim

Një faqe në Facebook ka publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, në mbishkrimin e së cilës, pretendohet se të moshuarve do t’u ofrohen pagesa falas të kredive. Vegëza është publikuar më 5 qershor nga një faqja me emrin “Convenient Loan” ndërsa imazhi përmban logon e Republikës së Kosovës, me pretendimin se bëhet fjalë për një vendim që do të zbatohet në vendin tonë. Hibrid.info ka gjetur se nuk ekziston asnjë vendim institucional, për pagesë të kredisë për asnjërën prej kategorive të qytetarëve. (këtu)

Një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi është publikuar me mbishkrimin, që pretendon se në Kosovë do të ofrohet një operacion pa pagesë me laser. Pretendimi se do të ofrohet një operacion pa pagesë me laser në Kosovë, për periudhë 1 qershor – 1 shtator, është i pa vërtetë. Faqja e publikuar me këtë pretendim është e dyshimtë, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar në lidhje me mundësinë e pretenduar. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Një llogari në TikTok ka publikuar një material me pretendimin pa fakte se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka reaguar lidhur me deklaratat e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për Kosovën. Përmbajtja del të jetë e ngjashme me atë që kishte qarkulluar edhe në fund të vitit 2022. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info nuk ka arritur të konfirmojë deklaratë të tillë nga Erdogani. (këtu)

Gabim

Një imazh i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është shoqëruar me titullin “SHQIPTARËT SPIUNË TË SERBISË NË KOSOVË DHE RRËMUJA BALLKNIKE E KRYEMINISTRIT EDI RAMA” në një postim në Facebook. Publikimi është bërë nga faqja “Ntv Televizion” të shtunën (8 qershor). Pas verifikimit të fakteve, del se titulli i përdorur mbi imazh nuk korrespondon me përmbajtjen. (këtu)

Share With Others

Translate »