[email protected]
Rishikimi i javës: Lajme të rreme për armatosjen e FSK-së, mashtrim me sondazh në lidhje me zgjedhjet
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, lajmet e rreme janë ato që dominuan ekosferën keqinformuese.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, në Facebook, Tiktok dhe X. Në Facebook u publikuan pretendimet se Ushtria e Kosovës është furnizuar me pajisje ushtarake nga Turqia “Boran 105”; se në fund të këtij viti Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset me fluturaken pa pilot, Kizilelma. Në TikTok u publikuan pretendimet se nisja e vitit shkollor në Kosovë është shtyrë për shkak të lisë së majmunit. Ndërsa, në “X” u publikua pretendimi se të dyshuarit që kryen sulmin në qytetin Solingen të Gjermanisë ku po zhvillohej një festival, për pasojë, tre persona mbetën të vdekur e disa të tjerë të lënduar, janë me origjinë shqiptare.

Lajm i rremë/Mashtrim u vlerësua publikimi i një interviste fiktive ndërmjet moderatorit të emisionit “Intervista e Buzhalës”, Berat Buzhala, i cili e kishte të ftuar drejtorin e mediumit “Paparaci.com”.

Transmetim i lajmeve të rreme është vlerësuar publikimi në TikTok me mbishkrimin: “Miliona euro investime për Ushtrinë E Kosovës: Planifikohet blerja e 300 transporterëve dhe 100 tankeve”.

Clickbait janë vlerësuar artikujt e publikuar në media lidhur me tërmet që nuk i bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes, si dhe një ri-publikim i një letre të presidentit të SHBA-ve, Joe Biden drejtuar ish-presidentit Hashim Thaçi në vitin 2019, pa u bërë e ditur në titull se cilit vit i përket ajo. 

Manipulim i fakteve/Dezinformatë u vlerësua një video-material i publikuar në platformën X (ish-Twitter) paraqet disa persona në një parking automjetesh në Suedi duke iu vënë zjarrin disave prej tyre, e që pretendohet se të dyshuarit janë shqiptarë.

Dezinformatë/Clickbait u vlerësua publikimi i një video-materiali në kopertinën e të cilit është vendosur mbishkrimi “Vjen vendimi, hapet Ura e Ibrit”.

Mashtrim/Lajm i rremë u vlerësua një postim i bërë në TikTok, përmes së cilit pretendohet se është publikuar një sondazh i ri në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Teoria konspirative u publikua në media serbisht ku dënimi i Sasha Zlatkoviqit me burgim prej pesë muajsh pasi pranoi akuzën për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, është interpretuar si “qëllim i Prishtinës për shtypje dhe intimidim të serbëve”.

Dezinformata është publikuar në media sociale me imazhin e ish-deputetes, Vasfije Krasniqi-Goodman, për të cilën pretendohet se iu është drejtuar komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gabimet janë publikuar në media se Shqipëria është e parafundit në listën e shteteve të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket pagës minimale, e se Kosova është e fundit; se kryeministri Albin Kurti ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind në tre vjetët e fundit.

Mashtrim/dezinformatë është vlerësuar publikimi i një imazhi me mbishkrimin ku pretendohet se dy subjektet politike opozitare në vend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rritjen e pagës minimale.

Lajm i rremë

Nëpërmjet një video-materiali të postuar në Facebook është pretenduar se Ushtria e Kosovës është furnizuar me pajisje ushtarake nga Turqia “Boran 105”. “Ushtria e Kosovës pajiset me topa “Boran 105mm”, prodhim Turk me një fuqi goditëse deri në 10 km”, është mbishkrimi që faqja “Me Albin Kurtin” ka përdorur në videon e publikuar më 20 gusht. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile se Kosova është furnizuar me pajisje të tilla ushtarake (shih këtu) Hibrid.info ka kërkuar me termin “Boran” edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. As aty nuk është gjetur diçka që tregon se ka furnizime me pajisje të tilla. (këtu)

Është pretenduar se nisja e vitit shkollor në Kosovë është shtyrë për shkak të lisë së majmunit. Pretendimi është bërë nëpërmjet një publikimi në TikTok nga llogaria me emrin “kosovaplus”. “Lajmi me i ri per nxenesit: Mesimi ne shkolla shtyhet deri me date 15 09 2024, shkaku kryesor rikthimi i virusit (lija e majmunit)”, është pretendimi i shfaqur në videon e publikuar. Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info del se pretendimi i publikuar nga kjo llogari në TikTok është i rremë. Viti i ri shkollor pritet të nisë më 2 shtator. Nuk ka asnjë njoftim nga Ministria e Arsimit për këtë çështje. Si dhe në Kosovë, deri tash nuk ka të regjistruar asnjë rast me linë e majmunëve. (këtu)

Në orët e vona të së shtunës (24 gusht), derisa në qytetin Solingen të Gjermanisë po zhvillohej një festival, u raportua për një sulm me thikë ku për pasojë, tre persona mbetën të vdekur e disa të tjerë të lënduar. E për të dyshuarit që kryen këtë sulm, po pretendohet se janë me origjinë shqiptare. Ky pretendim u publikua në median sociale X (ish-Twitter) nga llogaria në gjuhën angleze “VukFeNix”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim është i rremë. Kjo pasi, lidhur me këtë rast është arrestuar një person, i cili, sipas raportimeve nga mediat e huaja, është me origjinë siriane. (këtu)

Përmes një postimi u pretendua se në fund të këtij viti Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset me fluturaken pa pilot, Kizilelma. Ky postim u publikua (29 gusht) në Facebook nga faqja “Diaspora me Albinin”, e cila numëron afër 80 mijë ndjekës. Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në burime kredibile, që pretendon për furnizimin e FSK-së me këtë pajisje ushtarake turke. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Është publikuar një vegëz në formë fotografie me mbishkrimin në gjuhën angleze “Vehbi Kajtazi did not know that the microphone was on, and we said goodbye forever” që në gjuhën shqipe do të thotë “Vehbi Kajtazi nuk e dinte që mikrofoni ishte i ndezur dhe ne u përshëndetëm me të përgjithmonë”. Fotografia që ka formën e një artikulli të shkruar në portalin “PrishtinaInsight.com”, është publikuar (25 gusht) nga një faqe në Facebook me emrin “Urelirippar”. Hibrid.info ka gjetur se kjo përmbajtje paraqet një intervistë fiktive ndërmjet moderatorit të emisionit “Intervista e Buzhalës”, Berat Buzhala, i cili e kishte të ftuar drejtorin e mediumit “Paparaci.com”, Vehbi Kajtazi. (këtu)

Transmetim i lajmeve të rreme

“Miliona euro investime për Ushtrinë E Kosovës: Planifikohet blerja e 300 transporterëve dhe 100 tankeve”, mban mbishkrimin një video-material. Kjo përmbajtje u publikua (25 gusht) nga llogaria “viktorks112” në TikTok. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se ky artikull është i vjetër, i publikuar me datë 30 tetor 2018 nga mediumi në serbisht “Informer.rs”. Artikulli nuk është bazuar në asnjë fakt. (këtu)

Clickbait

“Biden mesazh personal Thaçit: “Mbaje besimin, gjërat do të përmirësohen”, titullohet një artikull i publikuar të hënën (26 gusht). Artikulli me këtë titull u publikua fillimisht nga mediumi në gjuhën shqipe “epokaere.com”. Për dallim nga titulli që lë hapësirë për keqinterpretim artikulli i “epokaere.com” në hyrje tregon se bëhet fjalë për letër të vitit 2019. (këtu)

“ZOT NA RUAJ/ Tërmet i fortë në vend, ja sa ishte magnituda dhe ja ku ishte epiqendra”, titullohet një artikull i publikuar më 26 gusht. Artikulli i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “versus.al” është shpërndarë në faqen me emrin “Preferenca” në Facebook. Titulli i artikullit të publikuar në Facebook nuk ka treguar vendin ku ka ndodhur tërmeti. Vetëm pas klikimit qartësohet se bëhet fjalë për tërmet në Portugali. Edhe aty titulli është i njëjtë, por hyrja e artikullit e sqaron se për ku bëhet fjalë. Duke marrë parasysh se faqja bën publikime në gjuhën shqipe dhe artikulli është në gjuhën shqipe, titulli përgjithësues ka lënë vend për keqinformim se ngjarja ka ndodhur në hapësirat shqipfolëse. Kjo vërtetohet edhe me komentet që ka marrë publikimi. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Një video-material i publikuar në platformën X (ish-Twitter) paraqet disa persona në një parking automjetesh në Suedi duke iu vënë zjarrin disave prej tyre. Në përshkrimin e kësaj videoje pretendohet se të dyshuarit janë shqiptarë. Kjo video me këtë pretendim u publikua (26 gusht) nga llogaria “VukFeNix”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se kjo ngjarje është e vjetër (2018) dhe se personat që kanë kryer atë akt, nuk janë identifikuar në bazë të kombësisë, por vetëm si banorë të Suedisë. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Publikohet një video-material në kopertinën e të cilit është vendosur mbishkrimi “Vjen vendimi, hapet Ura e Ibrit”. Videoja është publikuar (28 gusht) në kanalin zyrtar të mediumit “NTV Televizion”, në Youtube. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, ky pretendim është i pasaktë. Nuk ka asnjë vendim zyrtar për hapjen e Urës së Ibrit. (këtu)

Mashtrim/Lajm i rremë

Në një postim të bërë në TikTok pretendohet se është publikuar një sondazh i ri në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Publikimi është bërë nga llogaria me emrin “mentoralbodollar”. Në mbishkrimin e këtij publikimi thuhet se ky sondazh është kryer nga një kompani amerikane dhe se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) prin si e para me 35.5%. Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se ky publikim përdor të dhëna të një sondazhi të vjetër dhe se në postimin e bërë nga llogaria “mentoralbodollar”, janë ndërruar emrat e partive politike që prijnë në sondazh. (këtu)

Gabim

Është pretenduar se Shqipëria është e parafundit në listën e shteteve të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket pagës minimale, e se Kosova është e fundit. Pretendimi është bërë në hyrje të artikullit nga mediumi në gjuhën shqipe “panorama.com.al”, të publikuar më 28 gusht, dhe në titullin e mediumit tjetër “radiokosovaelire.com” të publikuar të enjten (29 gusht). “Në vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria renditet e parafundit për pagën minimale, duke lënë pas vetëm Kosovën”, është pretendimi në hyrje të artikullit të “panorama.com.al”. Kjo është gabim. Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë të Bashkimit Evropian, e madje edhe lista e publikuar përmban disa shtete që s’janë pjesë e bllokut. (këtu)

Është pretenduar se kryeministri Albin Kurti ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind në tre vjetët e fundit. Publikimi është bërë fillimisht në mediumin në gjuhën shqipe “ekonomiaonline.com” të enjten (29 gusht) dhe më pas është transmetuar ngjashëm nga disa portale të tjera.   Pas verifikimit nga hibrid.info del se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka thënë se punësimi në Kosovë është rritur për 45 për qind në tre vjetët e fundit. (këtu)

Dezinformatë

Është publikuar një përmbajtje me imazhin e ish-deputetes, Vasfije Krasniqi-Goodman, për të cilën pretendohet se iu është drejtuar komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me fjalët: Ku ishit ju trima te fb, kur serbet na dhunonin.. nuk ishim 20 e as 300…e as dy mije, por 20.000!!!.. Ky postim është publikuar (29 gusht) në Facebook, nga portali “lecanton27.ch”, i  vetëquajtur si gazeta e parë shqipe në Zvicër. Sipas verifikimit të hibrid.info, as në fjalimin e saj nga 9 mars 2020 në Kuvendin e Kosovës, as në ndonjë artikull tjetër të gjetur përmes kërkimit në Google, nuk ka prova që ajo ka bërë një deklaratë të tillë, në raport me drejtuesit e UÇK-së. (këtu)

Teori konspirative

Dënimi i Sasha Zlatkoviqit me burgim prej pesë muajsh pasi pranoi akuzën për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit është interpretuar si “qëllim i Prishtinës për shtypje dhe intimidim të serbëve”. Pretendimi është bërë nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në një komunikatë për media të premten (30 gusht). “Verdikti kundër Sasha Zlatkoviqit është dëshmi që qëllimi i vetëm i Prishtinës është t’i shtypë dhe intimidojë serbët”, titullohet komunikata në fjalë. Për këtë pretendim, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë nuk është bazuar në asnjë fakt. Sipas komunikatës së kësaj zyre, “Zlatkoviqi ishte arrestuar për fyerje verbale teksa po shkonte në një turne humanitar të futbollit në 25-vjetorin e vrasjes së serbëve në Grackën e Vjetër”. Kjo zyrë ka pretenduar po ashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeson “struktura kriminale” me qëllim të “dëbimit të serbëve”. Për asnjë nga këto pretendime nuk ka ofruar fakte. (këtu)

Mashtrim/Dezinformatë

Publikohet një imazh me mbishkrimin ku pretendohet se dy subjektet politike opozitare në vend, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rritjen e pagës minimale. Përmbajtja është publikuar (29 gusht) nga një llogari në TikTok me emrin “toke.ilirodardane”, përmes një imazhi nga një artikull i mediumit “Telegrafi.com”. Hibrid.info ka gjetur se artikulli i mediumit Telegrafi.com është publikuar vitin e kaluar dhe se në imazhin e publikuar në TikTok janë vërejtur ndërhyrje në titullin e tij. (këtu)

Share With Others

Translate »