Shkroi: Endrit Berisha
“Biden mesazh personal Thaçit: “Mbaje besimin, gjërat do të përmirësohen”, titullohet një artikull i publikuar të hënën (26 gusht).
Artikulli me këtë titull u publikua fillimisht nga mediumi në gjuhën shqipe “epokaere.com”.
Çka nuk qëndron me këtë titull?
Për dallim nga titulli që lë hapësirë për keqinterpretim artikulli i “epokaere.com” në hyrje tregon se bëhet fjalë për letër të vitit 2019.
Vegëza e artikullit të publikuar nga mediumi online “epokaere.com”:
Atë kohë, Joe Biden ishte në opozitë. Ai i kishte shkruar Hashim Thaçit (në kohën kur ishte president i Kosovës) një letër në muajin shkurt të 2019-s, pas takimit në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt të vitit 2019.
Letra ishte publikuar nga Thaçi në Facebook në mars të atij viti, ndërsa është riaktualizuar nga ish-këshilltari i tij, Artan Behrami, që e ripublikoi më 26 gusht. Behrami ka vënë theksin te mesazhi i shkruar me dorë nga Bideni. “Mbaje besimin, gjërat do të përmirësohen”, është shkrimi i Bidenit në fund të letrës falënderuese për takimin që kishte pasur me Thaçin. Artikulli i “epokaere.com” merr për bazë postimin e Behramit.
Artikulli i “epokaere.com” është shpërndarë edhe në mediume të tjera në gjuhën shqipe (ekonomiaonline.com dhe gazetametro.net)
Historik:
Hashim Thaçi pati dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, pasi konfirmoi se ndaj tij është ngritur aktakuzë nga Dhomat e Specializuara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai ishte zgjedhur president më 2016. Ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Joe Biden nga janari i vitit 2021 ka marrë postin e presidentit të SHBA-ve. Ai ka vendosur të mos kërkojë një mandat të dytë në zgjedhjet e nëntorit sivjet.
Analiza:
Mediumi në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull për një letër të presidentit aktual amerikan Joe Biden drejtuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pa treguar në titull se bëhet fjalë për letër të vitit 2019.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.