[email protected]
Rishikimi i javës: të paverifikuara deklaratat e Vuçiqit, sondazh i manipuluar në media sociale
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, përmbajtjet e paverifikuara dhe lajmet e rreme janë ato që dominuan ekosferën keqinformuese.

Përmbajtjet e paverifikuara u publikuan në media sociale në gjuhën shqipe dhe media reale në gjuhën serbe. Në Facebook përmes një postimi pretendohet se Turqia do t’ia dhurojë Kosovës 5 pajisje ushtarake anti-ajrore “Korhan”; në TikTok përmes një fotografie pretendohet se shtëpia që shfaqet në të i përket ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe se e njëjta kap vlerën prej 1.2 milionë euro. Ndërsa disa media në gjuhën serbe kanë publikuar pretendimin lidhur me arrestimin e 4 personave në veri mesnatën e së martës (10 shtator)m duke thënë se të njëjtit janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Përmbajtje e paverifikuar/Gabim është vlerësuar titull i artikullit i publikuar në media reale i cili thotë, “Vuçiç: Do shpallim Kosovën krahinë autonome të Serbisë”, përkundër faktit që një gjë e tillë nuk është thënë nga presidenti serb.

Artikujt me tituj clickbait janë publikuar në media reale lidhur me raste tragjike dhe çështje politike. Në media u publikua një artikull për një rast tragjik (vdekje) por që në titull nuk bëhet e ditur vendndodhja e ngjarjes. Po ashtu, në media u publikuan tituj që nuk i korrespondojnë përmbajtjes lidhur me hapjen e urës së Ibrit dhe për armët e futura në veri.

Mashtrim është vlerësuar postimi në Facebook si përmbajtje e sponsorizuar në formë aplikimi, ku pretendohet shpallja e një rekrutimi online, për një mundësi pune nga ndërmarrja me emrin “Pinduoduo”.

Manipulimi i fakteve është vlerësuar pretendimi në mediat në gjuhën serbe në lidhje me një personazh (Sanija Ahmeti) në Zvicër, të cilën e kanë identifikuar pa fakte se ka prejardhje nga Kosova.

Në media sociale është publikuar një mashtrim/lajm i rremë nëpërmjet një imazhi, përmes së cilit pretendohet se i njëjti shfaq një sondazh të realizuar nga kompania amerikane “FiveThirtyEight” sa i përket përkrahjes qytetare ndaj subjekteve politike në Kosovë.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, konkretisht në Facebook dhe Tiktok. Në TikTok u publikuan pretendimet e rreme se Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, do t’i ndërtojë  mbi 600 shtëpi për shqiptarët që jetojnë në veri të Kosovës; dhe se ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka dhënë deklaratë në të cilën ka thënë se është koha që SHBA-të ta marrin përsipër menaxhimin e Kosovës, pasi mjaft është mbajtur nga evropianët. Në Facebook është publikuar pretendimi i rremë se të martën (10 shtator) në qytetin e Gjilanit ka pasur reshje bore.

Dezinformatë u vlerësua pretendimi i publikuar në portalin informativ “alfax.mk” se Policia e Kosovës (PK) ka shkatërruar afër 1 mijë armë të serbëve.

Përmbajtje e paverifikuar

Përmes një postimi pretendohet se Turqia do t’ia dhurojë Kosovës 5 pajisje ushtarake anti-ajrore “Korhan”. Ky pretendim u bë nga faqja në Facebook “Lajme Nga Bota” me datë 8 shtator. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në burime kredibile në lidhje me këtë çështje. (këtu)

Përmes një fotografie pretendohet se shtëpia që shfaqet në të i përket ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe se e njëjta kap vlerën prej 1.2 milionë euro. “Ekskluzive: Kjo është shtëpia e Liburn Aliut në Marigona Hill në vlerë prej 1.2 milion euro”, mban mbishkrimin kjo përmbajtje e publikuar në median sociale TikTok nga llogaria “xixa.05” me datë 8 shtator. Pas hulumtimit, hibrid.info gjeti se fotografia e kësaj shtëpia gjendet në platformën online për shitblerje “merrjep.com”. Në përshkrimin e kësaj shtëpie nuk shfaqet çmimi dhe se e njëjta është në shitje nga një agjenci për patundshmëri. Po ashtu në dokumentin e deklarimit të pasurisë së Liburn Aliut, nuk figuron shtëpi në lagjen Marigona Hill në vlerë prej 1.2 milionë euro. (këtu)

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar një artikull (10 shtator) lidhur me arrestimin e 4 personave në veri mesnatën e së martës (10 shtator) për të cilët pretendohet se janë keqtrajtuar gjatë arrestimit. Sipas mediave në gjuhën serbe, familjarët dhe dëshmitarët okularë kanë bërë të ditur se katër persona të kombësisë serbe janë rrahur rreth 10 minuta nga Policia e Kosovës dhe më pas janë dërguar në stacion të Policisë. Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se arrestimi i këtyre katër personave ka ndodhur pasi të njëjtit i kanë sulmuar vetë ata dhe se gjatë arrestimit nuk është ushtruar dhunë në ta. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar/Gabim

Mediumi në gjuhën shqipe, “Euronews.al” ka publikuar një artikull (13 shtator) me titull: “Takim me 60 liderë botërorë”-Vuçiç: Do shpallim Kosovën krahinë autonome të Serbisë”. Në bazë të titullit të artikullit pretendohet se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ketë thënë se “do ta shpallin Kosovën krahinë autonome të Serbisë”. Siç dihet, Kosova, në kushtetutën e Serbisë veçse njihet si “krahinë autonome e Serbisë”. E që, në fakt, Vuçiq deklaroi se brenda 45 ditësh, Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj që shpall “krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”. (këtu)

Clickbait

Publikohet një artikull i titulluar “Gjendet e vdekur në një thes vajza e zhdukur”. Kjo përmbajtje është publikuar (9 shtator) në mediumin online në gjuhën shqipe “kosova-sot.info”. Vendndodhja e lajmit bëhet e ditur vetëm në hyrje të artikullit kur thuhet se “Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turqi…”. Portali që ka publikuar tekstin është i regjistruar në Kosovë dhe ka shumicën e lexuesve shqipfolës, andaj edhe mos qartësimi në titull se ku ka ndodhur ngjarja, mund të bëjë që audienca të mendojë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë. (këtu)

“AFATI 1 JAVE, pastaj goditje për nokaut/ Sarrazin flet për armët e futura në veri”, mban titullin një artikull i publikuar të hënën (9 shtator). Artikulli u publikua nga mediumi “ntv.al”. Titulli lë hapësirë të nënkuptohet se Sarrazin ka dhënë ndonjë afat për çështje të caktuara. Megjithatë, kjo nuk qëndron. E madje, titulli nuk përshtatet as me përmbajtjen e artikullit të vetë “ntv.al”. Në asnjë pjesë të tekstit nuk përmendet çështja e afatizimeve. (këtu)

“Hapet Ura e Ibrit” është mbishkrimi i vendosur në ballinën e një videoje të publikuar nga kanali “NTV Televizion” në YouTube. Videoja u publikua mw 11 shtator. Pretendimi i cekur në ballinën e videos nuk qëndron. Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është hapur dhe nuk ka vendim zyrtar për hapjen e saj. Në ballinën e videos është e vendosur edhe një fotografi e presidentes Vjosa Osmani. Video-materiali përmban kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën. Aty përmbajtja e parë, që mban titullin “HAPJA E URES SE IBRIT”, nuk paraqet asnjë njoftim i cili tregon se është marrë vendim për hapjen e urës në fjalë. (këtu)

Mashtrim

Publikohet një përmbajtje e sponsorizuar si formë aplikimi, ku pretendohet shpallja e një rekrutimi online, për një mundësi pune nga ndërmarrja me emrin “Pinduoduo”. Aplikimi, në emër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), është paraqitur me anë të një imazhi, në mbishkrimin e të cilit tregohen kushtet e mundësisë së ofruar dhe është publikuar në Facebook nga faqja me emrin “Qwgre-159”. Hibrid.info ka gjetur se një shpallje e tillë nuk mundësohet nga MFPT. Hibrid.info nuk ka arritur ta gjenerojë vegëzën nga ky postim, por e ka ruajtur publikimin si fotografi. (këtu)

Manipulim i fakteve

Mediat në gjuhën serbe kanë publikuar artikuj në lidhje me një personazh në Zvicër, të cilën e kanë identifikuar pa fakte se ka prejardhje nga Kosova. Sanija Ameti është personazhi në fjalë, e cila në fundjavën që sapo lamë pas është vënë në qendër të kritikave në Zvicër pasi kishte publikuar në profilin e saj në Instagram disa fotografi ku ajo shihet teksa qëllon me armë zjarri në drejtim të një fotografie të Shën Mërisë dhe Krishtit bebe. Në një intervistë që Ameti e kishte zhvilluar më 2022 për median zvicerane pme.ch, është raportuar se e njëjta ka prejardhje nga Bosnje e Hercegovina, dhe askund nuk është përmendur Kosova. Edhe në faqen e saj në Wikipedia shkruan se Ameti është e lindur në Bosnjë e Hercegovinë. Prandaj, në bazë të hulumtimit online që hibrid.info e ka kryer, nuk është gjetur askund se e njëjta ka prejardhje nga Kosova. (këtu)

Mashtrim/Lajm i rremë

Është publikuar një imazh, me pretendimin se shfaq një sondazh të realizuar nga kompania amerikane “FiveThirtyEight” sa i përket përkrahjes qytetare ndaj subjekteve politike në Kosovë. Në përmbajtje thuhet se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) prin me 27% të përkrahjes qytetare, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 22%, duke vazhduar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, me nga 15% respektivisht 9% të mbështetjes qytetare. Ky material është publikuar (10 shtator) në TikTok nga llogaria me emrin “mentoralbodollar” Hibrid.info ka gjetur se publikuesi ka marrë fotografinë e një sondazhi të realizuar në Britaninë e Madhe, të cilit ia ka ndryshuar të dhënat, për ta paraqitur si sondazh në Kosovë. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një postimi pretendohet se Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, do t’i ndërtojë  mbi 600 shtëpi për shqiptarët që jetojnë në veri të Kosovës. Ky pretendim u publikua (10 shtator) në TikTok nga llogaria “gladiatorkosova1”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë informacion të publikuar në burime kredibile që pretendon për ndërtimin e mbi 600 shtëpive në veri të vendit. (këtu)

Përmes një fotografie, u pretendua se të martën (10 shtator) në qytetin e Gjilanit ka pasur reshje bore. Ky postim u publikua në Facebook nga faqja “Drejt News”.  Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i lartcekur është i rremë. Fotografia është e vjetër, e publikuar me datë 20 janar. (këtu)

Është pretenduar se ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka dhënë deklaratë në të cilën ka thënë se është koha që SHBA-të ta marrin përsipër menaxhimin e Kosovës, pasi mjaft është mbajtur nga evropianët. “Ua lam Europianeve Kosovèn ta menaxhojnè 20 vjet. Mjaft më.. tani është rradha jonè (Bill Clinton)” është mbishkrimi që llogaria me emrin “ferdinand.shehaj” në TikTok ia ka vënë një publikimi të bërë më 12 shtator. Mbishkrimi i është vënë fotografisë së ish-presidentit Bill Clinton. Pretendimi se një deklaratë e tillë është dhënë nga Clintoni, nuk është i saktë. (këtu)

Dezinformatë

U pretendua se Policia e Kosovës (PK) ka shkatërruar afër 1 mijë armë të serbëve. Ky pretendim u gjet i publikuar në Facebook nga faqja “Alfax.mk” dhe në portalin me përmbajtje në gjuhën shqipe “Alfax.mk”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga publikuesit e lartcekur nuk është i saktë. Policia e Kosovës ka njoftuar (12 shtator) se do të bëhet asgjësimi i afro 1000 armëve të ndryshme të paligjshme. Pra, në këtë njoftim nuk specifikohet se këto armë ishin të qytetarëve serbë. (këtu)

Narrativat dezinformuese

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, të premten iu drejtua publikut lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë një konference për gazetarë, Vuçiqi ka prezantuar masat dhe ka paraqitur shtatë kërkesa lidhur me “çështjen e serbëve të Kosovës”, të cilat i ka përshkruar si parakushte të domosdoshme për përparim të rëndësishëm në dialog. Gjatë fjalimit të tij, ai u fokusua edhe te çështja e njohjeve të shtetësisë së Kosovës, ku ndër tjera, deklaroi se deri tani 112 shtete e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë e Vuçiqit lidhur me njohjet zuri vend në mediat në gjuhën serbe, duke dezinformuar se vetëm 85 shtete e njohin Kosovën, edhe pse Vuçiq e thotë se deri më tani, bëhet fjalë për 112 shtete. Pas verifikimeve të bëra është vërtetuar se numri i njohjeve nuk është ashtu siç pretendon Vuçiq dhe mediat në gjuhën serbe. Sipas listës zyrtare në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Kosova njihet nga 117 shtete. Serbia në disa raste ka pretenduar për tërheqje të njohjeve, kryesisht nga vendet afrikane, por kjo është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës. (këtu)

Analiza keqinformuese

Sanija Ameti u bë qendra e kritikave në Zvicër fundjavën e kaluar, pasi postoi disa foto në Instagram ku ajo shfaqej duke qëlluar me armë zjarri një fotografi të Shën Mërisë dhe Krishtit foshnjë. Mediat serbe kanë publikuar artikuj që spekulojnë për identitetin e saj, duke e identifikuar pa prova si me prejardhje nga Kosova. Mediat në gjuhën serbe, si Kurir.rs, Blic.rs, Kosovo-Online.com dhe Danas.rs, mes tjerash, kanë raportuar për rastin e Sanija Ametit, duke pretenduar se ajo ka prejardhje nga Kosova. Artikujt përfshijnë tituj sensacionalistë, si ai i Blic.rs: “NJË POLITIKANE NGA KOSOVA KA SHTËNË NË NJË FOTO TË VIRGJËRESHËS ME JEZUSIN! Sanija bëri bujë në rrjete, fshiu me shpejtësi gjithçka: Ja si u justifikua pas skandalit”. Kurir.rs gjithashtu pretendon se familja e Sanija Ametit erdhi si refugjate nga Kosova në Zvicër në vitet 1990. Të njëjtën linjë ndjek edhe Kosovo-Online.com dhe Danas.rs, duke raportuar se ajo ka prejardhje nga Kosova, por pa ofruar fakte konkrete për këto pretendime. Pretendimit dezinformuese se Sanija Ameti është me prejardhje nga Kosova i bashkëngjitet edhe Arno Gujon, i cili së fundmi është emëruar nga qeveria serbe si Drejtor i Zyrës për Diplomaci Publike dhe Kulturore të Serbisë. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »