Shkroi: Fatbardh Dema
U pretendua se Policia e Kosovës (PK) ka shkatërruar afër 1 mijë armë të serbëve.
Ky pretendim u gjet i publikuar në Facebook nga faqja “Alfax.mk” dhe në portalin me përmbajtje në gjuhën shqipe “Alfax.mk”.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimi i bërë nga publikuesit e lartcekur nuk është i saktë.
Policia e Kosovës ka njoftuar dje (12 shtator) se do të bëhet asgjësimi i afro 1000 armëve të ndryshme të paligjshme. Pra, në këtë njoftim nuk specifikohet se këto armë ishin të qytetarëve serbë.
Vegëza e postimit të publikuar nga faqja “Alfax.mk” në Facebook dhe në portalin “Alfax.mk”:
Përmes një komunikate të lëshuar për media, Policia e Kosovës kishte njoftuar për shkatërrimin e gjithsej 993 armë të llojeve të ndryshme si dhe pajisje të ndryshme ilegale.
Analiza:
Pretendimi se Policia e Kosovë ka asgjësuar afro 1 mijë armë të paligjshme që u takonin serbëve, nuk qëndron.
Kjo për faktin se në njoftimin e PK-së nuk specifikohet se kujt i takonin ato armë. Gjithashtu, në komunikatën e lëshuar për media thuhet se në baza vjetore, PK-ja konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.