info@hibrid.info
ShBA nuk ka publikuar asnjë listë të zezë për zyrtarët kosovarë në vitet e fundit
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një fotografi me listë emrash të zyrtarëve qeveritarë nga Kosova, për të cilët pretendohet se janë ne listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Imazhi është publikuar dje (15 dhjetor) në TikTok, nga një llogari me emrin “dardanianewsstation_”.

Cila është e vërteta?

Hibrid.info ka gjetur se asnjë nga zyrtarët, të cilëve iu figuron emri në imazhin e trajtuar, nuk janë në listën e zezë të ShBA-së.


Pas hulumtimit me anë të makinës së kërkimit, “Google”, hibrid.info ka vërejtur që në pesë vitet e fundit, ShBA-ja nuk ka publikuar listë me emra të zyrtarëve institucionalë dhe politikë të ndaluar nga Kosova.

Imazhi i njëjtë (i gjetur në TikTok) me listën e zyrtarëve nga qeveria aktuale e Kosovës, është gjetur i publikuar (25 shkurt) në llogarinë e gazetarit Fitim Çeku, në “X” (ish-Twitter), i cili pretendonte se bëhej fjalë për listë me deputetë (nga Lëvizja Vetëvendosje) dhe ministra, të cilëve NATO u ka ndaluar hyrjen në veri të Kosovës.

Por, hibrid.info ka gjetur një artikull të publikuar më 17 shkurt nga mediumi “Paparaci.com”, me titullin “KFOR-i mohon se ka ndaluar disa zyrtarëve të Kosovës të vizitojnë veriun”.

Diskutimet për këtë çështje, u rikthyen përsëri nga Lulzim Hetemi, kryetari i Leposaviqit, i cili tregoi për ‘Listën e zezë’ të KFOR-it dhe se kujt iu ndalua hyrja në Komunën e Leposaviqit (këtu).

Hibrid.info ka hasur në një artikull, ku tregohet se pretendimi i njëjtë u mohua edhe njëherë nga KFOR-i.


Analiza:

Pretendimi për një listë me qeveritarë të cilët janë futur në listën e zezë të ShBA-së, është i pasaktë.

Hibrid.info ka gjetur se për të njëjtën listë është pretenduar se paraqet emra e zyrtarëve institucionalë, të cilëve i është ndaluar hyrja në veri të Kosovës. Këto raportime janë mohuar nga KFOR-i.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »