[email protected]
Spitali i Kryeqytetit, përkundër premtimeve, ende nuk u bë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Më 23 qershor të vitit 2022, ishte prezantuar plani i fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës nga Komuna e Prishtinës.

Ndërsa në një postim të 1 shtatorit të po atij viti, Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, njoftonte se kishte vizituar lokacionin e dedikuar për ndërtimin e objektit të Spitalit të Kryeqytetit.

Rama tregonte për pritet që ndërtimi i objektit të fillojë gjatë vitit 2023.

Si është situata me Spitalin e Kryeqytetit?

Dy vite nga ky njoftim i kryetarit Rama ndërtimi i këtij objekti nuk ka nisur, megjithë paralajmërimet për fillimin e ndërtimit të tij edhe brenda vitit 2024.

Analiza:

Në prezantimin e planit të fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës, kishte marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Rifat Latifi (shih këtu).

Në artikullin e portalit “albanianpost.com”, të cilit hibrid.info i është referuar, tregohet edhe për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës, qysh në vitin 2019, nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Isamili, së bashku me ministrin e Administratës Publike të asaj kohe, Mahir Yagcilar.

Projekti parashihej të përfundonte në vitin 2021, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Ndërsa kryetari Përparim Rama, i cili u zgjodh në vitin 2021 në këtë detyrë, tha se ndërtimi i Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës pritej të fillonte në vitin 2023 (shih këtu).

Postimi i Përparim Ramës më 1 shtator 2022, në Facebook:

“Spitali i Kryeqytetit po bëhet!

Bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, z. Izet Sadiku, vizituam lokacionin e dedikuar për ndërtimin e objektit.

Janë duke u bërë të gjitha matjet dhe analizat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Punimet për Spitalin e Kryeqytetit janë duke ecur sipas planit dhe presim që ndërtimi të fillojë gjatë vitit 2023”.

Megjithatë, ndërtimi i këtij objekti nuk filloi në vitin e 2023. Kjo dëshmohet edhe në raportin e publikuar për premtimet e realizuara të kryetarëve të Komunave në Kosovë, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, më 30 qershor të vitit 2023 (shih këtu).

Hibrid.info ka gjetur edhe një publikim të kryetarit Rama, i cili më 3 maj të vitit 2024, paralajmëronte tenderimin e projektit dhe fillimin e ndërtimit të Spitalit të Kryeqytetit (shih këtu).

Postimi i Përparim Ramës më 3 maj 2024, në Facebook:

“Spitali i Kryeqytetit po bëhet!

Sot diskutuam detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit.

Një projekt i shumëpritur që do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.

Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. 

Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të filloj ndërtimi”.

Në bazë të gjetjeve të hibrid.info, deri në datën e trajtimit të këtij zotimi (3 shtator, 2024), ndërtimi i Spitalit të Kryeqytetit, ende nuk ka nisur (shih këtu dhe këtu).


Përfundimi:

Spitali i Prishtinës ishte premtuar gjatë mandatit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. I njëjti ishte thënë se do të bëhej në një objekt të ri apo do të shfrytëzohej hapësira e QKUK-së.

Fillimi i ndërtimit të tij ishte paralajmëruar disa herë gjatë mandatit të Ramës, duke u përmendur edhe afate të caktuara, por i njëjti nuk ka nisur ende.

Bazuar në metodologjinë e punës mbi përmbushjen apo mbajtjen e premtimeve, hibrid.info e vlerëson mos ndërtimin e këtij institucioni shëndetësor si “premtim jo të mbajtur”.

Arsyetimi:

Përmbushja apo mbajtja e premtimeve, kryesisht ndërlidhet me ato parazgjedhore, të cilat monitorohen në nivelin qendror dhe atë lokal gjatë mandatit katër-vjeçar. Ky hulumtim bëhet kryesisht në kohën e fushatës parazgjedhore, ku figurat kryesore politike monitorohen, në mënyrë që të ketë kontroll të fakteve për atë që e thonë. Hibrid.info bazuar në premtimet e bëra më herët, përmes programit zgjedhor, i kontrollon deklaratat e këtyre politikaneve, për të parë nëse pas mandatit kanë arritur t’i mbajnë ato premtime. Hibrid.info planifikon që të publikojë raporte të tilla edhe në baza vjetore.

Vlerësimi në këtë kategori bëhet – mbajtje e premtimit (nëse ai mbahet), mbajtje e pjesshme e premtimit dhe premtim jo i mbajtur (nëse ai nuk mbahet).

Share With Others

Translate »