[email protected]
Synohet të ndërlidhet pretendimi i pabazuar për trafikim organesh në Ukrainë me përfshirjen e UÇK-së
shape
shape
shape

Disa media në gjuhën serbe dhe ruse kanë publikuar një deklaratë dje (7 gusht) të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila ka pretenduar pa fakte se UÇK-ja është e përfshirë në, siç pretendon ajo, trafikimin e organeve në Ukrainë dhe se mund te jetë e pranishme atje përmes, siç thotë, grupeve mercenarësh.

Mediat në gjuhën serbe i referohen shkrimit autorial të Zaharovas në gazetën ruse “Rossiyskaya Gazeta” e cila publikohet nga qeveria ruse. (këtu)

Zaharova pretendon se Ukraina është bërë liderë në trafikimin e organeve dhe se, siç e thotë ajo, ka informacione se edhe UÇK-ja është e përfshirë në të. Sipas Zaharova-s, “vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ende duke funksionuar, por me një emër tjetër, dhe mund të jetë e pranishme në Ukrainë si mercenarë”.

Zakharova, përmes kësaj deklarate, synon që pretendimin e pabazuar për transplantim ilegal të organeve në Ukrainë, ta ndërlidh me UÇK-në dhe pjesëmarrjen e tyre në luftë.

Vegëza e artikujve të publikuar në mediat në gjuhën serbe dhe ruse:

https://lat.rt.rs/rusija/44302-zaharova-ovk-trgovina-organa/

https://lat.sputnikportal.rs/20230807/zaharova-ukrajina—lider-na-crnom-trzistu-organa-za-transplantaciju-1159574009.html#

https://informer.rs/planeta/vesti/818006/rusija-ukrajina-rat-trgovina-organima-ovk https://www.politika.rs/sr/clanak/565199/zaharova-marija-ukrajina-trziste-organizovani-kriminal-ovk

https://www.politika.rs/sr/clanak/565199/zaharova-marija-ukrajina-trziste-organizovani-kriminal-ovk

Pjesë të artikullit të publikuar në mediat (dhe media ruse) në gjuhën serbe:

Rusia ka informacione se ata kontrollojnë tregtinë e organeve, ose se së paku janë të përfshirë liderët e ish-UÇK-së, ndërsa një nga liderët e kësaj organizate terroriste po gjykohet në Hagë, ka shkruar zëdhënësja e Ministria e Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, në një shkrim autori për “Rossiyskaya Gazeta”.

“Ka informacione se ata posedojnë ose së paku bashkëpunojnë me tregtarë të cilët janë të lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, njëri nga liderët e të cilëve është në gjyq për tregtim me organet e ushtarëve të rënë serbë, civilëve dhe kundërshtarëve të tjerë të asaj kohe, të luftërave jugosllave. Vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ende duke funksionuar, por me një emër tjetër dhe ekziston mundësia që ata të jenë të pranishëm në Ukrainë si mercenarë”.


Ky artikull ka zënë vend në dy ballinat e gazetave të ditës së martë (8 gusht) në gjuhën serbe. (shih shembuj këtu dhe këtu)


Zakharova mundohet ta ndërlidh narrativin dezinformues mbi transplantimin e organeve në Ukrainë me  UÇK-në, si vazhdimësi e propagandës dezinformuese.

Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kremlini zyrtarë është munduar të krijoj narrativa dezinformuese duke e ndërlidh me spekulimin e paargumentuar për ekzistimin e transplantimeve në Shqipëri (Shtëpia e verdhë) në kushte terreni gjatë luftës në Kosovë.

Kujtojmë se pikërisht “Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si “Dhomat e Specializuara ishte krijuar me pretendimet e raportit të Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë”. (këtu) Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve. (këtu)

Shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson kishte konfirmuar mungesën e provave, si dhe kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë. (këtu)

Gjithashtu, vërtetësia e raportit të Dick Marty-t është duke u kontestuar edhe me një rezolutë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryeministrit Edi Rama, në korrik të vitit 2022 (këtu).


Zakharova pretendon pa fakte se UÇK-ja është duke funksionuar me një emër tjetër dhe se ekziston mundësia që të jetë prezente në Ukrainë.

Pretendime për pjesëmarrjen e kosovarëve në luftën e Ukrainës, krah këtyre të fundit, kanë bërë edhe zyrtarë tjerë të lartë rusë. Është Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili ka pretenduar se mercenarë nga rajoni i Ballkanit, saktësisht nga Kroacia, Shqipëria e Kosova, po marrin pjesë në luftën në Ukrainë, (këtu) dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, që ka thënë se “mercenar nga Kosova janë vendosur Donbas” (këtu). Por, këto pretendime janë demantuar nga zyrtarë shtetërorë të Kosovës dhe vendeve përkatëse.


Narrativi rus për organizimin e operacioneve për transplantim të organeve në Ukrainë vazhdon të publikohet. Ky pretendim është demantuar nga kontrolluesit e fakteve nga Evropa “EUvsDisinfomation” me argumentimin se transplantimi i organeve është një procedurë mjekësore komplekse dhe e kufizuar në kohë dhe është e pamundur të kryhet në kushte terreni. Akuzat për trafikimin e organeve gjatë aktiviteteve ushtarake në Ukrainë janë pjesë e mjeteve të dezinformimit të Kremlinit dhe kanë qenë në qarkullim që nga viti 2014. Në të kaluarën, akuzimi i të tjerëve për trafik organesh ka qenë një teknikë e përsëritur dezinformimi pro-Kremlinit.


Analiza:

Nuk është e bazuar ndërlidhja e UÇK-së me narrativin dezinformues mbi transplantimin e organeve në Ukrainë.

Pretendime për pjesëmarrje e kosovarëve në luftën e Ukrainës, krah këtyre të fundit, janë bërë edhe më herët dhe janë demantuar nga zyrtarët shtetëror të Kosovës.

Edhe pretendimet se po kryhen operacione për transplantim të organeve në Ukrainë është demantuar disa herë dhe është cilësuar si narrativ dezinformues i Kremlinit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »