Portali informativ në gjuhën shqipe “albeu.com” ka publikuar dje (22 qershor) një artikull me pretendimin se filmi i animuar “The Simpsons” ka parashikuar zhdukjen e nëndetëses “Titan” të kompanisë “OceanGate” në Oqeanin Atlantik, e përdorur për t’i dërguar turistët te pjesët e fundosura të anijes Titanik.
Në përmbajtje të këtij artikulli gjendet një video-material i shkurtër, i marrë nga një prej episodeve të këtij seriali të animuar, me anë të së cilit pretendohet se është parashikuar zhdukja e nëndetëses “Titan”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se në këtë video-material asnjëherë nuk është përmendur emri “Titanik” apo “Titan”, që kishte mundur ta ndërlidhte atë si parashikim.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “albeu.com”:
Artikulli i njëjtë është publikuar edhe në portale tjera (këtu dhe këtu), të cilat e kanë cituar “albeu.com”.
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur se video-materiali i këtij filmi të animuar është shkëputur nga episodi i 10-të i sezonit 17-të, i publikuar në vitin 2006. (shih këtu)
Pjesë të këtij episodi janë publikuar edhe në “Youtube”. (shih këtu)
Në këtë episod, protagonist i serialit të animuar, Homer Simpson kishte përdorur një nëndetëse për të gjetur smeraldët e famshëm të “Piso Mojado”. Ai ngeci nën ujë, i mbaroi oksigjeni dhe më pas u zgjua në spital pasi ishte në koma për tre ditë.
Këto ngjashmëri janë vetëm rastësore, e që nxisin pohimin se ky film i animuar ka “parashikuar” ngjarjen për zhdukjen e nëndetëses “Titan”.
Pretendime të ngjashme se “The Simpsons” ka parashikuar ngjarje të ndryshme, janë publikuar edhe më herët nga portale informative, të cilat gjithashtu janë trajtuar nga hibrid.info. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Bazuar në metodologjinë e punës, u vërtetua se pretendimi se “The Simpsons” në vitin 2006 kanë parashikuar zhdukjen e nëndetëses “Titan”, nuk qëndron.
Kjo për faktin se në video-materialin e shkëputur nga një episod i këtij filmi të animuar, asnjëherë nuk përmendet “Titanik” apo “Titan” dhe se ngjarja ka të bëjë me një dukuri krejt tjetër.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Teori Konspirative”.
Arsyetimi:
Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.