Dy media në gjuhën shqipe “lajmifundit.al” dhe “gazeta-shqip.com” kanë publikuar artikull në datën 1 korrik, ku jepet lajmi për gjetjen e eshtrave të një personi në park.
Hibrid.info ka verifikuar faktet e paraqitura në përmbajtje dhe ka vërtetuar se titulli nuk sqaron se në cilin vend ka ndodhur kjo ngjarje.
Në të dy rastet vendndodhja e ngjarjes sqarohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Romë, pasi është gjetur skeleti i një gruaje në një park në zonën Casal Bertone.”
Nga faqet e dy mediave në facebook (shih këtu dhe këtu) kuptohet se shumica e lexuesve janë shqipfolës, gjë e cila mund të qojë në dezinformim të lexuesve.
Vegëzat e artikullit të publikuar në mediat online “lajmifundit.al” dhe “gazeta-shqip.com”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumin italian “agenzianova.com”, në lidhje me gjetjen e eshtrave të një gruaje në një park të Romës. (shih këtu)
Analiza:
Mediat në gjuhën shqipe “lajmifundit.al” dhe “gazeta-shqip.com” kanë publikuar artikull me titull përgjithësues, duke mos sqaruar se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja.
Këto media veprojnë në Shqipëri dhe bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, lexuesit kryesisht i kanë shqipfolës. Prandaj, mosdhënia e informacioneve për vendin ku bëhet fjalë në lajm, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke lënë të nënkuptojë se ngjarja ka ndodhur në hapësirën shqiptare.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.