Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “news87media.com” ka publikuar artikullin me titull “Ngrihet Alarmi, Kryediplomati gjerman i jep ultimatum listës Serbe, ‘po koordinohemi me SHBA-në’”.
Hibrid.info ka kontrolluar faktet në këtë artikull, ku është vërtetuar se titulli i artikullit është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen. Gjithashtu, lajmi është i vjetër dhe nuk ka të bëjë me Listën Serbe, por me “Republikën Srpska” në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ky portal i dyshimtë duket se qëllimshëm ka ndryshuar titullin, duke lënë vend për keqinformim se gjoja krye-diplomati gjerman ka dhënë ultimatum Listës Serbe.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin e dyshimtë “news87media.com”:
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas i është bashkuar atyre që thonë se kriza aktuale në Bosnjë e Hercegovinë është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe se për këtë arsye është e nevojshme të ndalen veprimet e autoriteteve të Republikës Srpska që kërcënojnë shpërbërjen e shtetit, transmeton Gazeta Express.
“Ajo që ne po shohim aktualisht në Bosnjë e Hercegovinë është kriza më e keqe politike që nga përfundimi i luftës në 1995 dhe unë ndaj këtë mendim”, tha ministri i Jashtëm gjerman në një intervistë për portalin e Sarajevës, Klix.
Vegëza e artikullit të publikuar në “news87media.com”:
Ky artikull është shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook nga faqja “33shi.com”, që numëron mbi 45 mijë ndjekës.
https://www.facebook.com/33shi/posts/773879056879815
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është gjetur artikulli i publikuar në kohë reale (11 nëntor 2021) nga portali “gazetaexpress.com”.
Vegëza e artikullit të publikuar në “gazetaexpress.com”:https://www.gazetaexpress.com/kryediplomati-gjerman-paralajmeron-pasoja-per-dodikun-po-koordinohemi-me-shba-ne/
Analiza:
Portali i dyshimtë “news87media.com” ka publikuar një artikull të vjetër të cilit i ka vënë titull të sajuar, duke e ndërlidhur atë me Listën Serbe, që lë të kuptohet se ngjarja ka të bëjë me Kosovën.
Ndërsa pasi të klikosh në artikull bëhet e qartë se kryediplomati gjerman Heiko Maas, atëkohë kishte thënë se kriza aktuale në Bosnjë e Hercegovinë është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe se për këtë arsye është e nevojshme të ndalen veprimet e autoriteteve të Republikës Srpska që kërcënojnë shpërbërjen e shtetit.
Pas analizës së kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, ky artikull merr vlerësimin si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.