info@hibrid.info
Titulli dhe fotografia nuk e qartësojnë vendin e ngjarjes
shape
shape
shape

Artikulli me titull “Nxënësit qëllojnë me plumba gome mësuesen në klasë” është publikuar sot (25 tetor) nga portali informativ “Kosova-sot.info”.

Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në artikull, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është përgjithësues, pra që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja. ndërsa kjo bëhet e ditur vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një mësuese e një shkolle të mesme në Rovigo është qëlluar nga disa fishekë gome nga nxënësit teksa jepte mësim”.

Pra, ngjarja ka ndodhur në një institut në Rovigo të Italisë.

Duke e ditur se ky portal është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), një titull i tillë përgjithësues dhe me një imazh të tillë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të hamendësojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në ndonjë shkollë në Kosovë.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

https://www.kosova-sot.info/lajme/649598/nxenesit-qellojne-me-plumba-gome-mesuesen-ne-klase/?fbclid=IwAR2cVbQNIJX3D8ABEzyplOkSUEk24HVP1HFBO40KdtyxUblhcd4jYkYhwO4


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:

Një mësuese e një shkolle të mesme në Rovigo është qëlluar nga disa fishekë gome nga nxënësit teksa jepte mësim.

Episodi ka ndodhur në një klasë të institutit “Viola Marchesini” dhe është filmuar nga një nxënës, i cili më pas ka shpërndarë videon në rrjetet sociale.

Mësuesja u godit dy herë, fillimisht në kokë dhe më pas në sy.


Përveç titullit përgjithësues, ky portal në këtë artikull ka vendosur edhe fotografi jo adekuate. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se kjo fotografi nuk ka të bëjë me atë të institutit në fjalë.

Portali italian “Il Gazzetino” ka raportuar lidhur me këtë ngjarje, të cilës i ka bashkangjitur edhe video material. (shih këtu dhe këtu)


Pas hulumtimit të bërë përmes programit te automatizuar online për kontroll faktesh – “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë fotografinë e përdorur në këtë artikull në disa media online në gjuhën shqipe të cilat kanë raportuar për shkollat në Maqedoni. (shih këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një ngjarje në një institut në Rovigo të Italisë, por duke mos e qartësuar se në cilin shtet ka ndodhur ajo.

Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në ndonjë shkollë në Kosovë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »