Një portal i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe ka publikuar një artikull me titull “Nuk po ndalen ngjarjet tragjike, e fundit me shumë të vrarë e të plagosur, dalin pamjet e tmerrshme”.
Artikulli qartësohet vetëm në përmbajtje, më saktësisht në kreun e artikullit, ku thuhet se “Nuk po ndalen ngjarjet tragjike, e fundit me shumë të vrarë e të plagosur. Numri i të vrarëve në Gaza, ka shkuar në 20 mijë e 647, tha Ministra e Shëndetësisë e vendit”.
Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka vërtetuar se titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk e sqaron se për cilin vend bëhet fjalë në përmbajtje.
Vegëza e artikullit të publikuar nga portali i dyshimtë “Telalli.info”:
Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në mediumin amerikan “TheWashingtonPost.com”, për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se artikulli ka të bëjë me zhvillimet e fundit në Gaza. (shiko këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “Telalli.info” ka publikuar një artikull lidhur me numrin e vrasjeve dhe plagosjeve, por nuk ka sqaruar se përmbajtja ka të bëjë me zhvillimet e fundit në Gaza, duke lënë kështu hapësirë për keqkuptim se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqip-folës.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Vlerësimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.