Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (21 korrik) një artikull me titull “Lajmi i fundit: Burri vret të fejuarin e ish të dashurës dhe më pas veten”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli i këtij artikulli është përgjithësues që nuk sqaron se ku ka ndodhur ngjarja.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Poloni, ku një burrë ka vrarë të fejuarin e ish-të dashurës dhe më pas veten”.
Duke ditur që ky portal informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), titulli në fjalë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i lënë të kuptojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Hibrid.info ka gjetur këtë lajm të publikuar në këto mediume polake (këtu, këtu) , që e vërteton faktin se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në Poloni.
Analiza:
Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Poloni, mirëpo, në titull nuk sqarohet se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Përkundër kësaj, lajmi është publikuar me paralajmërimin si “lajm i fundit”.
Duke u bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook, portali “kosova-sot.info” numrin më të madh të lexuesve i ka nga Kosova, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes shumë lehtë mund të rezultojë me dezinformim të lexuesve, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.