[email protected]
Tjetër pretendim i pabazë për spastrim etnik të serbëve që jetojnë në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një komunikate në faqen zyrtare, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka vazhduar me narracionin se serbët e Kosovës po i nënshtrohen “dhunës ligjore” të institucioneve të Kosovës si pjesë të “qëllimit kriminal dhe planit për spastrim gradual etnik”.

Kjo zyrë e publikoi komunikatën të premten (10 maj) pas arrestimit të S.M. nga Zveçani në pikën kufitare të Jarinjës.

Çka tha Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë?

Në komunikatë kjo zyrë ka pretenduar se personi është arrestuar pa bazë. Aty thuhet se personi i arrestuar “është viktimë e tradhtisë së premtimeve të zbrazëta të komunitetit ndërkombëtar” se “nuk do të ketë persekutim e hakmarrje ndaj serbëve, për shkak se kanë shprehur pakënaqësinë ndaj pushtimit të veriut të Kosovës dhe Metohisë nga Kurti”. Në komunikatë, kjo zyrë ka thënë se Perëndimi reagon menjëherë ndaj arrestimeve të shqiptarëve në Serbi, ndërsa për arrestimet e serbëve në Kosovë “nuk ka asnjë fjalë”.


Vegëza e deklaratës së Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë:

https://archive.is/c1Nel


Pjesë nga pretendimi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i përkthyer në shqip:

Më shumë se një duzinë serbësh nga Kosova e Metohija janë arrestuar tërësisht arbitrarisht dhe pa asnjë bazë pasi Albin Kurti erdhi në krye të institucioneve të përkoshhme të vetëqeverisjes në Prishtinë dhe Zyra për Kosovën dhe Metohinë ka siguruar edhe avokatin për të arrestuarin në këtë rast. Implementimi i dhunës ligjore ndaj popullit serb në Kosovë dhe Metohi është pjesë e një fushate më të gjerë dhune që synon të detyrojë sa më shumë serbë që është e mundshme të largohen nga provinca jonë jugore, dhe prapa gjithçkaje është një qëllim kriminal dhe një plan për spastrim gradual etnik.


Çka njoftoi Policia e Kosovës?

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është thënë se personi i dyshuar është arrestuar nën dyshimet për pjesëmarrje në protestat e dhunshme të 29 majit të vitit të shkuar.

Komunikata e Policisë së Kosovës:

“BASHKIM PËR VEPRIMTARI KUNDËR KUSHTETUESE, ME QELLIM TË SULMIT KUNDËR RENDIT KUSHTETUES TË REPUBLIKËS SE KOSOVËS & RREZIKIM I PERSONAVE NEN MBROJTJE NDËRKOMBËTARE &  SULM NDAJ PERSONIT ZYRTARË & PJESËMARRJA NË TURMË QË KRYE VEPRA PENALE DHE HULIGANIZËM. Zveçan 29.05.2023 – NN.  Lidhur me veprat e cekura penale, më 10.05.2024,  në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinje, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje”


Çfarë kishte ndodhur në maj të 2023-s?

Në fund të majit të vitit të shkuar në komunat në veri të Kosovës pati protesta nga serbët që kundërshtonin vendosjen e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në objektet komunale. Për disa ditë pati përpjekje që të ndalohej hyrja e kryetarëve në zyra. Ka pasur protesta të protestuesve me Policinë e Kosovës e në Zveçan edhe me pjesëtarë të KFOR-it. Dhjetëra ushtarë ishin lënduar.  (shih këtu)


Hibrid.info ka trajtuar edhe në të kaluarën narracionin e Qeverisë së Serbisë, gjegjësisht të ZKQS-së, ndaj situatës së sigurisë të serbëve të Kosovës. Në shumë raste, kjo zyrë rastet e dhunës ku të përfshirë janë serbët e Kosovës, i cilëson si raste me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova, pa u mbështetur në asnjë fakt. (shih këtu, këtu dhe këtu).


Analiza:

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pa u mbështetur në fakte, e ka ndërlidhur arrestimin e një qytetari serb në Jarinjë, me “dhunë ligjore ndaj serbëve” dhe “qëllimin kriminal e planin për spastrimin gradual etnik” nga institucionet në Kosovë. Kjo zyrë ka thënë se serbët po arrestohen pa asnjë bazë.

Policia e Kosovës në një njoftim për mediat ka thënë se personi është arrestuar nën dyshimin për disa vepra e që lidhen me protestat e dhunshme të 29 majit në Zveçan.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pretendime të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë si “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato raportime mediatike të cilat shpërndajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre raportimeve është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »
1406