Shkroi: Fatbardh Dema
Një mesazh (SMS) iu është dërguar në telefon qytetarëve të Kosovës në të cilin shkruan “Pakoja juaj nuk u dorëzua me sukses për shkak të informacionit të paqartë të adresës”.
Përmes këtij SMS-i pretendohet se për të siguruar që kjo pako të dorëzohet pa problem, është publikuar një vegëz për klikim, ku mund të përditësohet informacioni i adresës.
Çka nuk shkon me këtë SMS?
Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se numri që ka dërguar këtë mesazh në telefon, ka prefiksin +44, që i takon Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa, vegëza e paraqitur në SMS është e dyshimtë dhe paraqitet rrejshëm si ueb-faqe zyrtare e Postës së Kosovës.

Hibrid.info ka hulumtuar për prefiksin e numrit që ka dërguar SMS dhe ka gjetur se se i takon shtetit të Mbretërisë së Bashkuar (shih këtu).
Pas klikimit të vegëzës në këtë SMS, hapet një faqe si imitim i ueb-faqes së Postës së Kosovës me emrin “postakosoves.bar”, ku shfaqen të njëjta informata të cilat tregohen në përmbajtjen e SMS-it. (shih fotografinë më poshtë)

Se kjo ueb-faqe është imitim i asaj të Postës së Kosovës, e tregon domaini i paraqitur në këtë faqe, që dallon nga domaini i ueb-faqes së këtij institucioni “https://postakosoves.com/” . (shih fotografinë më poshtë)

Hibrid.info ka verifikuar edhe kredibilitetin e këtij domaini (postakosoves.bar), me anë të platformës për kontrollin e ligjshmërisë së ueb-faqeve “Scamdoc.com”. Rezultatet tregojnë se ky domain është i dyshimtë. (shih këtu)
Një SMS me përmbajtje të ngjashme u është dërguar qytetarëve edhe në muajin nëntor. (shih këtu verifikimin nga hibrid.info)
Analiza:
Një SMS i dërguar nga një numër telefoni me prefiks të Mbretërisë së Bashkuar, u ka ardhur disa qytetarëve në telefona, me thirrjen që të klikohet në një vegëz në mënyrë që ta ndërrojnë adresën e shtëpisë, për të pranuar një pako.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se vegëza e paraqitur në SMS është imitim i ueb-faqes së Postës së Kosovës, dhe e njëjta ka rezultuar të jetë e dyshimtë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë SMS si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.