Një llogari në TikTok me emrin “paterioti” ka publikuar një video-material, në të cilin shihet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri Rama shihet në video me syrin e majtë të nxirë, teksa jep video-mesazh.
Hibrid.info ka verifikuar faktet dhe ka gjetur videon autentike, duke vërtetuar se në videon në fjalë, është ndërhyrë në imazhin e kryeministrit Rama, më saktësisht në fytyrën e tij.
Vegëza e video-materialit të publikuar në TikTok nga llogaria “paterioti”:
Kjo video e publikuar nga llogaria e “paterioti” deri në këto momente, ka arritur të grumbullojë mbi 600 mijë shikime. (shih fotografinë më poshtë)
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin autentik të publikuar me datë 8 maj 2023 në Twitter nga media turke “Time Balkan”. (shih këtu)
Në videon autentike paraqitet kryeministri shqiptar, Edi Rama me një video mesazh, me anë të së cilit i jep mbështetje Recep Tayyip Erdoğan-it, në zgjedhjet presidenciale në Turqi.
Analiza:
Llogaria “paterioti” në TikTok ka publikuar një video-material të rremë, ku shihet kryeministri Edi Rama me syrin e tij të majtë, të nxirë.
Në video-material është ndërhyrë në imazhin e Ramës, duke bërë që syri i majtë i kryeministrit shqiptar, të duket i mavijosur.
Hibrid.info, për ta vërtetuar se video në fjalë është mashtrim (deep fake), ka gjetur videon autentike në të cilën kryeministri Rama shfaqet pa ndërhyrje në imazhin e tij.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë material si “Mashtrim”.