Disa faqe në Facebook kanë publikuar me datë 14 dhe 15 tetor një video-material të shkurtër me pretendimin se pamjet paraqesin qytetarët nga Egjipti, duke kaluar kufirin për t’iu dërguar ndihma qytetarëve në Gaza.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se video-materiali është i vjetër dhe nuk ka të bëjë me dërgimin e ndihmave nga qytetarët e Egjiptit për në Gaza.
Vegëza e video-materialit të publikuar në Facebook nga faqet “The Reis” dhe “Xhemati i Kokonozit”:
https://www.facebook.com/watch/?v=1288123248532149
Pas hulumtimit të kryer përmes programit të automatizuar “InVID”, hibrid.info ka arritur të gjejë video-materialin e publikuar në median sociale TikTok me datë 31 gusht. (shih këtu)
Përshkrimi i këtij video-materiali është i shkruar në gjuhën arabe, por pas përkthimit përmes Google Translate në gjuhën shqipe, ai merr kuptimin “Al-Salloum, kufiri perëndimorë i Egjiptit, Matrouh”.
Në kërkimin përmes Google Maps, është vërtetuar se Matrouh është në kufi me Libinë. (shih këtu)
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një video-material të vjetër me pretendimin ta paraqesin si aktual.
Duke u bazuar në gjetjet nga hibrid.info, shihet se video-materiali i vjetër paraqet disa qytetarë të Egjiptit në kufi me Libinë. Ndërsa faqet e lartcekura pretendojnë se pamjet janë aktuale dhe paraqesin qytetarët e Egjiptit duke dërguar ndihma për në Gaza.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë postim si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.