info@hibrid.info
Votat e 2001-s nuk ishin për kandidatët, por për partitë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Rugova vazhdon të mbetet lideri më i votuar ndonjëherë në Kosovë”, është mbishkrimi i një fotografie të publikuar në median sociale TikTok nga llogaria “muli0087” më 11 mars.

Në fotografi janë të përfshirë Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, Ibrahim Rugova dhe Albin Kurti si liderë politikë dhe votat që kanë marrë ata në zgjedhje të caktuara.

“Ibrahim Rugova vazhdon të mbetet lideri më i votuar ndonjëherë në Kosovë, që nga zgjedhjet e vitit 2001 deri në zgjedhjet e fundit parlamentare të shkurtit 2025”, thuhet në përshkrim të përmbajtjes.

Cila është e vërteta?

Shifra e paraqitur prej 359,851 votash te emri i Ibrahim Rugovës për vitin 2001, nuk ka qenë votë vetëm për kandidatin. Atë kohë është votuar në sistem të listave të mbyllura (s’ke mundur të zgjedhësh kandidatin e caktuar brenda një partie). Qytetarët kanë pasur të drejtë të votojnë vetëm për partitë politike dhe jo për kandidatët.

Edhe shifra prej 202,622 votash që shfaqet te emri i Hashim Thaçit në vitin 2001, ka qenë votë për partinë e tij, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).


Në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në zgjedhjet e vitit 2001 del se të drejtën e votës e kishin shfrytëzuar 803,796 votues apo 64.3 për qind nga numri i votuesve të regjistruar. Në ueb-faqe jepen edhe rezultatet e përgjithshme sipas subjekteve politike, por edhe emrat e kandidatëve të zgjedhur për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve të përgjithshme, Lidhja Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Ibrahim Rugova atë kohë, kishte marrë 359,851 vota apo 45.65% dhe kishte siguruar 47 ulëse.

Ndërsa te vegëza për kandidatët e zgjedhur nuk shfaqen vota për secilin kandidat, pasi lista ka qenë e mbyllur.

Për të vërtetuar se Ibrahim Rugova, atëkohë kryetar i LDK-së, nuk ishte votuar si kandidat, por votat ishin për partinë tregon edhe fletëvotimi i publikuar nga KQZ-ja. Në të janë vetëm emrat e partive dhe jo të kandidatëve për deputetë.


Në vitin 2007, shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker pati nënshkruar rregulloret e posaçme për të siguruar kuadrin ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve atë vit. Sipas këtyre rregulloreve, Kosova do të ishte një njësi zgjedhore dhe do të zbatohet sistemi proporcional. Për herë të parë do të votohej me lista të hapura, ndërsa qe miratuar edhe pragu zgjedhor prej pesë për qind, por kjo vlen vetëm për partitë politike shqiptare dhe jo edhe për partitë e pakicave kombëtare. (Shih këtu dhe këtu)

Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006. Presidenti i parë i Kosovës së lirë, pra nuk ishte asnjëherë pjesë e garës në të cilat mund të votohej për kandidatët, por vetëm për parti.


Përmbajtja për votat e “liderit më të votuar ndonjëherë në Kosovë” përkon me kohën e raportimeve se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit u bë kandidati me më së shumti vota në ndonjë palë zgjedhje në Kosovë. Nga numërimi i deritashëm i votave – procesi në disa vendvotime ka shkuar në rinumërim – Kurti ka marrë mbi 330 mijë vota si kandidati numër 1, ndërsa partia e tij mbi 390 mijë. (shih këtu)


Publikimi në TikTok deri në momentin e trajtimit ka marrë mbi 1600 pëlqime e mbi 100 mijë shikime.


Analiza:

Në një postim në TikTok, llogaria “muli0087” ka pretenduar se Ibrahim Rugova, ish-kryetar i LDK-së, ka qenë lideri më i votuar ndonjëherë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke marrë për bazë shifra nga viti 2001.

Por ato shifra paraqesin votat për partinë, LDK-në, dhe jo për kandidatin Rugova. Atë kohë nuk mund të votohej direkt për një kandidat të caktuar brenda një partie.

Bazuar në metodologjinë e punës hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »